Zëdhënësi i Erdogan-it kërkon heqjen e Nobelit për Peter Handke-n

Zëdhënësi i  presidencës turke bëri thirrje të shtunën që Akademia Suedeze ta tërheqë vendimin për t’ia dhënë Çmimin Nobel për Letërsi shkrimtarit kundërthënës, Peter Handke. Ai tha se ky është një vendim i paturpshëm.

“Të hënën, Çmimi Nobel për Letërsi do t’i jepet Peter Handke-s, i cili e përkrah Millosheviqin dhe e mohon gjenocidin në Bosnjë. Ky vendim i paturpshëm duhet të tërhiqet”, shkroi në Twitter zëdhënësi Ibrahim Kalin.

Shkrimtari austriak u shpall fitues i Çmimit Nobel për Letërsi në tetor. Në vendimin e Akademisë Suedeze ishte thënë se ky çmim po i jepet për punën me ndikim që autori ka bërë përmes letërsisë në zbulimin e periferisë së përvojës njerëzore.

Sidoqoftë, zëdhënësi Kalin tha se ky çmim do të shërbejë për të inkurajuar gjenocide të reja dhe e shtroi pyetjen: “Si mund ta shpërbleni dikë pa vetëdije morale dhe ndjenjë të turpit?!”

On Monday @NobelPrize will give the Prize for Literature to Peter Handke who supports Milosevic and denies the Bosnian genocide.

This shameless decision must be reverted.

How can you award someone without moral consciousness and sense of shame?!

To encourage new genocides?!— Ibrahim Kalin (@ikalin1) December 7, 2019