Zbulohet qeliza e mëlçisë e ngjashme me qelizat burimore

Një studim i ri emocionues, i udhëhequr nga shkencëtarë nga King’s College London, e ka zbuluar një lloj të ri qelize në mëlçi. Hulumtimi e përshkruan atë si qelizë që ka “veti të ngjashme me qelizat burimore”, me potencialin për t’i rigjeneruar qelizat e dëmtuara të mëlçisë dhe për t’i trajtuar sëmundjet në këtë organ pa pasur nevojë për transplantim.

Nga hepatiti e deri tek cirroza, ekzistojnë mbi 100 gjendje të ndryshme individuale që rezultojnë në dëmtim të mëlçisë. Në mënyrë kolektive, sëmundjet e mëlçisë janë rritur ndjeshëm në Shtetet e Bashkuara gjatë dekadës së fundit. Dëmtimi i qelizave të mëlçisë është përgjithësisht i përhershëm, dhe nëse ky dëmtim është mjaft i rëndë, trajtimi i vetëm efektiv është transplantimi i plotë i mëlçisë.

Hulumtimi i ri sugjeron që një trajtim plotësisht i ri për sëmundjen e mëlçisë në të ardhmen mund ta eliminojë nevojën për transplantim të mëlçisë duke i rigjeneruar në thelb qelizat e sëmura ose të dëmtuara të mëlçisë, shkruan Koha Ditore. Duke e përdorur metodën e quajtur sekuencionim njëqelizor të ARN-së, hulumtuesit i studiuan nga afër mëlçitë fetale dhe të të rriturve dhe e zbuluan një lloj specifik të qelizës, të quajtur qelizë hepatobiliare hibride progjenitore (HHyP).

Në mitër, kur fetusi është duke u zhvilluar, qelizat HHyP veprojnë si pararendës të dy llojeve kryesore të qelizave të pjekura të mëlçisë, hepatocitet dhe kolangiocitet. Por çfarë është më interesante, hulumtimi i ri e zbulon praninë e sasive të vogla të këtyre qelizave HHyP në mëlçitë e të rriturve. Implikimet e këtij zbulimi sugjerojnë për mundësinë e disa llojeve të trajtimeve që mund t’i rigjenerojnë qelizat e dëmtuara të mëlçisë në vend të transplantimit më invaziv të mëlçisë.

“Për herë të parë kemi zbuluar se qelizat me karakteristika të ngjashme me qelizat burimore mund të ekzistojnë në mëlçinë e njeriut”, thotë autori kryesor i hulumtimit të ri, Tamir Rashid. “Kjo nga ana tjetër mund ta sigurojë një gamë të gjerë të aplikimeve të ilaçeve rigjeneruese për trajtimin e sëmundjeve të mëlçisë, duke përfshirë mundësinë e anashkalimit të nevojës për transplantime të mëlçisë.”

Një mundësi hipotetike e ngritur nga studimi është se qelizat e indukuara burimore pluripotente mund të shndërrohen në qeliza HHyP dhe më pas të transplantohen në mëlçinë e dëmtuar, duke shpresuar se do ta rigjenerojnë indin e dëmtuar. Edhe më radikalisht, hulumtuesit sugjerojnë se potenciali për nxitje të aktivitetit në qelizat HHyP tashmë është në mëlçinë e personit për ta riparuar çfarëdo dëmi.

“Tani duhet të punojmë shpejt për ta zhbllokuar recetën për shndërrimin e qelizave burimore pluripotente në HHyP në mënyrë që të mund t’i transplantojmë ato qeliza në pacientë sipas dëshirës”, shpjegon Rashid. “Në një afat më të gjatë, gjithashtu do të punojmë që të shohim nëse mund t’i riprogramojmë HhyP-të në trup duke përdorur ilaçe tradicionale farmakologjike për t’i riparuar mëlçitë e sëmura pa transplantim qelizash ose organesh.”

Hulumtimi është ende në fazë të hershme, por ky zbulim i jashtëzakonshëm fillestar i hap rrugën trajtimeve krejtësisht të reja në të ardhmen për sëmundjen e mëlçisë, të cilat mund ta eliminojnë nevojën për procedura të rënda dhe invazive të transplantimit të organeve.

Hulumtimi i ri u publikua në revistën Nature Communications.

loading…