Zbulohet një tjetër variant i ri COVID-19 në Britani të Madhe

Autoritetet britanike njoftuan sot se kishin identifikuar dy raste të një varianti tjetër të ri të COVID-19, më ngjitës, nga Afrika e Jugut, një vend me të cilin po vendosen kufizimet të menjëhershme të udhëtimit.

“Ky variant i ri është mjaft shqetësues, sepse është më ngjitës dhe duket se ka ndryshuar më shumë sesa varianti i ri i identifikuar në Britaninë e Madhe”, tha ministri i Shëndetësisë, Matt Hancock, raporton ATSh.

“Personat mbartës të virusit, të cilët kishin udhëtuar nga Afrika e Jugut javët e fundit dhe ata që kanë qenë në kontakt me ta janë vendosur në karantinë”, shtoi ai.

Zbulimi i këtij lloji të ri vjen vetëm disa ditë pas zbulimit të një varianti të ri të mëparshëm, për të cilin autoritetet shëndetësore thonë se është më ngjitës.

Ky mutacion, i cili përkon me një rritje të rasteve, çoi fundjavën e kaluar në bllokimin e Londrës dhe një pjese të Anglisë juglindore, si edhe pezullimin e lidhjeve midis BM-së dhe rreth 50 vendeve, përfshirë Francën, duke shkaktuar një paralizë të trafikut ndërkanalor.