Volodymyr Zelensky

Zbulohet kërkesa e parealizueshme që Presidenti i Ukrainës i bëri Bidenit

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, i kërkoi Presidentit amerikan Joe Biden më shumë mbështetje ushtarake dhe financiare, dhe gjithashtu i kërkoi që të vizitonte personalisht Ukrainën. Lajmin ekskluziv e bën të ditur CNN, që citon një zyrtar të lartë ukrainas, i cili ka dijeni mbi bisedën mes dy udhëheqësve, të bërë këtë të diel.

Sipas zyrtarit, Zelensky ka kërkuar gjithashtu nga Biden që të sugjerojë “ide konkrete për të zvogëluar kërcënimin e Rusisë ndaj Ukrainës”. Këtu përfshihet thirrja e përsëritur që Uashingtoni të japë më shumë mbështetje ushtarake për Ukrainën, si për shembull të dhurojë armatime më moderne.

Zelensky gjithashtu theksoi nevojën për një paketë financiare domethënëse për Ukrainën, sipas zyrtarit vendas. Ai tha për CNN se Presidenti këmbënguli se mbështetja e fortë ekonomike “do t’i tregonte Putinit që Perëndimi qëndron krah Ukrainës dhe që impakti i përshkallëzimit të Putin nuk do të kishte rezultat”.

Sipas zyrtarit ukrainas, Zelensky i kërkoi Bidenit që të vizitojë sa më shpejt të jetë e mundur Ukrainën, por nuk mori përgjigje pozitive nga Biden. Zyrtarë amerikanë thonë që një udhëtim i Biden në Ukrainë është ekstremisht i pamundur, në një kohë ku administrata u ka bërë thirrje shtetasve amerikanë të largohen nga ukraina dhe gjithashtu ka larguar stafin jo esencial nga ambasada e Kievit.

Megjithatë, gjatë telefonatës, sipas një deklarate të Shtëpisë së Bardhë, Biden i tha Zelenskyt që Shtetet e Bashkuara do të jepnin “një përgjigje të shpejtë dhe të vendosur” nëse Rusia pushton Ukrainën. Të dy udhëheqësit “ranë dakord në rëndësinë që ka ndjekja e rrugës diplomatike dhe parandalimi, si kundërpërgjigje për rreshtimin e trupave ruse në kufi me Ukrainën”, thuhet në deklaratën e Shtëpisë së Bardhë.

Një ditë më parë, Biden bisedoi më Putin për krizën e sigurisë në Ukrainë. Shtëpia e Bardhë tha se Biden ka qenë “shumë i qartë” me Putinin, duke i thënë Presidentit të Rusisë se nëse Moska pushton Ukrainën, SHBA dhe aleatët e saj do të përgjigjen “të vendosur” dhe do të ketë “kosto” të rënda për Rusinë.

Rusia i mohon kategorikisht akuzat se po planifikon pushtimin e Ukrainës, por ka rreshtuar trupa dhe armatime të shumta duke e rrethuar vendin fqinj nga 3 anë. Moska ka shtuar bazat e saj ushtarake dhe numrin e trupave në Gadishullin e Krimesë, të aneksuar pikërisht nga Ukraina në vitin 2014, ka pozicionuar rreth 100 mijë trupa në kufirin e saj lindor me Ukrainën, si dhe mendohet se ka dislokuar 30 mijë trupa dhe armatime të rënda në Bjellorusi.

Kremlini thotë se trupat ruse po kryejnë stërvitje ushtarake, diçka normale për çdo shtet, por nga ana tjetër, i ka kërkuar Perëndimit që të mos anëtarësojë në NATO Ukrainën, kërkesë që është refuzuar. Gjatë javëve dhe ditëve të fundit paralajmërimet për luftë kanë ardhur nga të gjitha anët. Shumë shtete, përfshi edhe Shqipërinë e Kosovën, u kanë bërë thirrje shtetasve të vet të largohen nga Ukraina, ndërsa SHBA ka larguar edhe stafin jo esencial në ambasadën e vet në Kiev.