Zbulohet emri dhe fytyra e njeriut të arrestuar, i dyshuar për sulmin me hark dhe shigjeta në Norvegji

Kjo është fytyra e sulmuesit të dyshuar, i akuzuar për vrasjen e pesë personave në sulmin me hark dhe shigjeta në Norvegji.

Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, Espen Andersen Bråthen është 37-vjeçari danez i arrestuar për sulmin, ka konfirmuar policia.

Avokati i policisë Ann Irén Svane Mathiassen konfirmon për NRK se 37-vjeçari do të vlerësohet nga ekspertë të psikiatrisë mjeko-ligjore.

Ndërkohë policia në Norvegji kishte thënë se tani po e trajton sulmin e dhunshëm me pesë të vdekur dhe dy të plagosur në qytetin e vogël të Kongsberg si terrorizëm.

Sidoqoftë, hetimet për sfondin më të detajuar ishin ende në vazhdim, është thënë më tej.

Shërbimi i sigurisë tani po heton nëse ajo që ndodhi mund të frymëzojë të tjerët për të kryer akte të rënda dhune. Sidoqoftë, nuk ka indikacione konkrete për këtë.

Espen Andersen Bråthen është akuzuar nga policia. Ai u arrestua mbrëmjen e së mërkurës.

Por kush është Espen Andersen Bråthen?

Sipas mediumit publik të Norvegjisë, përcjell Telegrafi, Bråthen u dënua vitin e kaluar me një urdhër ndalimi gjashtë mujor pas një sulmi kundër dy anëtarëve të ngushtë të familjes, pasi ai kërcënoi se do të vriste njërin prej tyre.

Sipas vendimit, policia besonte se kishte rrezik që ai të kryente një vepër penale kundër njerëzve që i ishte ndaluar të vizitonte.

Sipas vendimit, 37-vjeçari la një revole Colt në divanin e anëtarëve të familjes, të cilën ata thuhet se e kishin përjetuar si kërcënuese.

Bråthen u dënua gjithashtu për vjedhje dhe blerje të sasive të vogla të hashashit në vitin 2012. Në aktgjykim thuhet se ai ishte dënuar për vepra të ngjashme më parë.