Zbulohet arsyeja e vizitës së Macronit në Serbi: Do ta mbështesë korrigjimin e kufirit Kosovë-Serbi

Presidenti francez, Emanuel Macron do ta vizitojë në dhjetor Serbinë. Ai do të shkojë në Beograd me mesazhin se do ta mbështesë çdo propozim që vije nga Serbia dhe Kosova për normalizimin e raporteve ndërmjet dy vendeve.

Sipas mediave serbe, Macron do ta mbështes korrigjimin e kufirit ndërmjet dy shteteve për të arritur deri tek zgjidhja përfundimtare.

“Ai arrin në një moment të ndjeshëm në të cilën gjenden Beogradi dhe Prishtina për shkak të provokimeve nga pala kosovare me rritjen e taksës për mallrat serbe. Presidenti francez mund të ndihmojë që gjërat të kthehen në tavolinën e bisedimeve dhe se zgjidhja të arrihet më se largu deri në pranverë të vitit 2019, siç është planifikuar më herët”, shkruan “Blic”, gazeta e afërt me Vuçiq, transmeton Ballkani.info.

Macron do ta vizitojë Serbinë më 5 dhe 6 dhjetor, ndërsa vizita ishte caktuar në korrik gjatë vizitës së presidentit serb në Francë.

Macron, shkruan kjo gazetë, pritet që gjatë bisedave me presidentin serb ta mbështesë secilën ide për korrigjim të kufirit ndërmjet Serbisë dhe Kosovës.

“Ai këtë ia kishte thënë Vuçiqit gjatë vizitës në Francë. Sigurisht se do të flitet edhe për vendimin e Prishtinës për taksën 100 ndaj mallrave serbe”, shkruan gazeta.