Zbulimet e reja për COVID: 78% e personave që përfunduan në spital, ishin mbipeshë ose obez

Më të prekurit me simptoma të rënda ishin personat mbi peshë, dhe mosha e sëmundjet kronike vinë të dytat.

Një shumicë dërrmuese e personave që janë spitalizuar si pasojë e Covid-19, që kanë pasur nevojë për ventilator ose që kanë humbur jetën si pasojë e Covid-19, është zbuluar të kenë qenë mbipeshë, shkruan lajmi.net.

Kjo u bë e njohur për publikun nga CDC, pas një studimi që ata publikuan të hënën.

Nga 148,494 të rritur që u diagnostikuan me covid-19, 71,491 u spitalizuan. Nga ata, 27.8% ishin mbipeshë, dhe 50.2% ishin obez, sipas raportit të CDC.

Mbipesha është e definuar si të pasurit indeks të masës së trupit 25 ose më shumë, ndërsa obez mbi 30. Masa normale është 18-25.

Personat me masë normale kishin rrezikun më të ulët të spitalizimit. Gjithashtu edhe rastet e vdekjes ishin më të rrallat tek ky grup i njerëzve.

Arsyeja pse shumë persona më në moshë ndërruan jetë ishte sepse njerëzit mbi moshën 65 vjeçare, patën rritje të dukshme në mbipeshë, shkruan lajmi.net.

Sipas disa statistikave që janë mbledhur për SHBA, rreth 42% e popullsisë së tyre është obez.

Në këtë publikim CDC përdori mundësinë për të promovuar marrjen e vaksinës dhe respektimin e masave, sidomos për personat që janë obez, sepse ata janë më të rrezikuarit.

Edhe më parë ka pasur studime që kanë treguar se obeziteti është i lidhur ngushtë me shumë sëmundje kronike ose vdekjeprurëse.

Obeziteti shkakton paaftësi të funksioneve imunitare, dhe gjithashtu zvogëlon kapacitetin e mushkërive. Kjo është arsyeja pse koronavirusi ka goditur veçanërisht rëndë këta persona, sepse kjo është pika ku virusi sulmon më së shumti.

Mirëpo ky studim ishte i limituar, sepse ata i bazuan studimet e tyre vetëm tek të rriturit e spitalizuar. Prandaj këto mund të jenë bazë për të rriturit, dhe sa i përket fëmijëve, nevojiten studime të mëtutjeshme.