Sot në oborrin e QKUK-së ka zbarkuar një helikopter i KFOR-it. Ky zbarkim alarmoi pacientët e klinikave të ndryshme të këtij institucioni.
Por, më vonë u kuptua që nuk kishte arsye për shqetësim, pasi e gjitha ishte vetëm një ushtrim i përbashkët i QKUK-së dhe KFOR-it.
“Klinika Emergjente e Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës, në kuadër të bashkëpunimit me KFOR, ka mbajtur ushtrim fushor për reagim në situata emergjente. Gjatë ushtrimit është improvizuar një rast me lëndime në gjoks dhe krahë dhe është testuar reagimi i klinikës në raste të tilla”, ka njoftuar QKUK.
KFOR, ka sjellë një helikopter përmes së cilit është improvizuar ardhja e rasteve me lëndime dhe vlerësimi ka qenë maksimal për ekipet emergjente.
U premtua se në rast të situatave emergjente, KFOR do të përkrahë me helikopter, për të sjellë të lënduarit.
QKUK njofton se testimet e tilla do të vazhdojnë edhe ditën e nesërme nga ora 9:30 deri në 12:00.











