Zbardhen detajet e shpërthimi në Velipojë

Detaje të reja kanë dalë në dritë nga ngjarja tragjike në Velipojë, ku pas shpërthimit të një bombole gazi mbetën të plagosur katër anëtarë të së njëjtës familje.

Dyshimet e para të zjarrfikëses janë rrjedhja e gazit nga bombola më e vogël që ka çuar në shpërthimin e fuqishëm.

Mësohet se në ambientet e hotelit ka pasur edhe shtatë bombola të tjera, por që është bërë e mundur ndërhyrja në kohë që mos të shpërthejnë.

Nga deklarata zyrtare e policisë bëhet me dije se ngjarja ka ndodhur në fshatin Pulaj-Plazhë.

Të plagosurit kanë pësuar djegie e për pasojë ndodhen në gjendje të rëndë shëndetësore.

Bombola ka shpërthyer në hotelin e familjes Gjoka, ku të dëmtuar janë shtetasit  A.Gj. 40 vjeçe, D.Gj. 19 vjeçe, K.Gj. 15 vjeçe, dhe E.Gj. 12 vjeç.

Nga ana tjetër, punonjësja e ambulancës është shprehur se gjendja e tyre është shumë e rëndë.

“Gjendja e të lënduarve është shumë, shumë e rëndë me djegie deri në 85-90%”, ka thënë ajo.

Sipas saj dy nga të plagosurit janë në Spitalin e Shkodrës, ndërsa të miturit janë transportuar drejt Spitalit të Traumës në Tiranë.

Në një deklaratë për mediat një i afërm i familjes ka sqaruar edhe rrethanat e ngjarjes.

Sipas tij ngjarja ka ndodhur në momentin që është ndezur një bombol e vogël për të bërë kafe.

Ai ka theksuar se nëna dhe fëmijët kishin shkuar një natë më parë në hotel për ta pastruar dhe bërë gati për sezonin turistik, ndërsa kryefamiljari ndodhet në Itali.

Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë po vijon punën për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarje”, shkruhet në njoftimin e policisë.