Zaporizhjës i ngel vetëm një reaktor në funksion

Enerhoatom, që operon centralin bërthamor ukrainas të Zaporizhjës, tha se vetëm një prej gjashtë reaktorëve të centralit është duke operuar, teksa në këtë central gjenden dy inspektorë të Kombeve të Bashkuara.

Luftimet përreth centralit – që është më i madhi në Evropë – kanë rritur frikën e një fatkeqësie bërthamore. Media shtetërore ruse, TASS, raportoi më 5 shtator se janë dëgjuar tri shpërthime në Enerhodar, qytetit ku gjendet centrali i Zaporizhjës.

“Aktualisht vetëm reaktori i gjashtë vazhdon të jetë në funksion i cili po furnizon me rrymë sistemin e energjisë të Ukrainës dhe plotëson kërkesat e vetë centralit të Zaporizhjës”, tha Enerhoatom përmes një deklarate më 5 shtator. Ky operator shtoi se centrali po operon pavarësisht rreziqeve “nga shkeljet e rregullave për rrezatim dhe të sigurisë nga zjarri”.

Rusia e ka akuzuar Ukrainën se ka tentuar që të marrë me forcë kontrollin e centralit, akuza që janë hedhur poshtë nga Kievi.

Ukraina dhe Perëndimi akuzojnë Rusinë se po dislokon armatim të rëndë në central, duke e ditur mirë se Ukraina nuk do të kryente sulme. Moska mohon këto akuza, por u ka rezistuar përpjekjeve për të çarmatosur zonën me qëllim që të shmanget rreziku për një katastrofë mjedisore.

Luftimet përreth centralit kanë shtyrë Agjencinë Ndërkombëtare për Energji Bërthamore të dërgojë javën e kaluar një mision në central.

Disa anëtarë të misionit u larguan më 3 shtator, ndërkaq aktualisht dy inspektorë gjenden ende në Zaporizhja për të monitoruar situatën, raportoi TASS duke cituar një ekspert rus që ishte prezent brenda centralit.

Pushtimi i paprovokuar rus i Ukrainës ka hyrë në muajin e shtatë. Lufta ka nxitur rritjen e çmimeve të energjisë dhe ka rritur shqetësimet për furnizime në mbarë botën, teksa Perëndimi po e akuzon Moskën se po përdor gazin dhe naftën si armë.