“Zajeno” thotë se u ka ofruar institucioneve dëshmi për kërcënime

Tetë anëtarë të “Zajeno”, subjektit politik të komunitetit goran, pohohet të kenë dhënë deklarata tek organet e hetuesisë, pas denoncimeve për presion para zgjedhjeve të 14 shkurtit, nga subjekti tjetër goran, JGP dhe strukturat paralele të Serbisë në Dragash.

Berzat Berzati, anëtar i Këshillit Drejtues i “Zajenos” ka thënë se të shumta janë deklaratat dhe dëshmitë e dorëzuara në polici nga të kërcënuarit.

“Deri tash anëtarët e Koalicionit Zajeno kanë dorëzuar në Prokurori video e audio-incizime me kërcënimet që i kanë pasur nga strukturat paralele edhe Jasmina Dediq nga Lista Serbe që është deputete tash. Po ashtu, kërcënime nëpër rrjete sociale që i kemi pasur, ofendimet. Edhe njerëzit që kanë pasur kërcënime se në qoftë se nuk votojnë, do ta humbin ndihmën sociale”, ka thënë ai.

Berzati thotë se hetimi i efektshëm e që përmbyllet sa më parë do të mund të ndikonte në parandalim e problemeve që i kanë hasur tash e shtatë vjet, derisa në të kundërtën, telashe për ta do të kishte edhe në zgjedhjet lokale.

E nënkryetari i “Zajenos”, Fatir Berzati, ka deklaruar se pas raportimit të KOHËS për përjashtimin nga puna të mësuesit Fehim Sali nga një shkollë paralele, në punë janë kthyer katër persona.

“Fehim Sali dhe Rexhep Kamberi janë suspenduar nga puna, sepse kanë qenë pjesë e listës së Koalicionit Zajeno. Kanë pasur edhe presion nga deputetja Jasmina Dediq, që është drejtoreshë e arsimit paralel të Serbisë këtu në Kosovë, kanë pasur drejtpërdrejt thirrje”, ka thënë ai duke i përmendur edhe një që, sipas tij, është kthyer në arsim dhe një në shëndetësi.
Sipas përfaqësuesve të këtij subjekti, hetimi i efektshëm e që përmbyllet sa më parë do të mund të ndikonte në parandalim e problemeve që i kanë hasur goranët tash e shtatë vjet.
KOHA e ka kontaktuar Prokurorinë Speciale, kryetarin e JGP-së, Adem Hoxha dhe ka tentuar të sigurojë përgjigje edhe nga deputetja e Listës Serbe, Jasmina Dediq e partia e saj, por përgjigjet e tyre kanë munguar.
“Zajeno” po ashtu ngritur dyshimet se të dhënat e komisionerëve e vëzhguesve janë rrjedhur nga Komisioni Komunal i Zgjedhjeve në prag të zgjedhjeve të 14 shkurtit. Këtë e kishte mohuar udhëheqësi i KKZ-së në Dragash, Fesal Xhabali.
“Për herë të parë po e dëgjoj këtë nga ju, nuk kam dëgjuar më herët. Prej nesh nuk ka dalë asgjë”, ka thënë ai.
Në Ditën e Goranëve, më 6 maj, kryeministri Albin Kurti i ka pritur ndaras në Zyrën e Kryeministrit përfaqësuesit e JGP-së dhe “Zajenos”.