Zahir Tanin kritikon Prishtinën për arrestimin e rusit në veri: E rrahën dhe e arrestuan

Shefi i UNMIK-ut, Zahir Tanin, ka folur sot në Këshillin e Sigurimit rreth raporteve të krijuara mes Kosovës e Serbisë, pas hyrjes në fuqi të vendimit të taksës 100% ndaj produkteve serbe.

Tanin në fjalën e tij para të pranishmëve, theksoi se pas këtij vendimi gjendja mes Prishtinës zyrtare dhe Beogradit edhe pas 20 vjetëve ka arritur në një moment të brishtë.

”Gjendja në Kosovë me marrëdhëniet mes Beogradit dhe Prishtinës prapë kanë ardhur në një moment të brishtë. Gjatë këtyre 20 vjetëve, shihet qartë se ka pasur progres-ndryshime në shumë dimensione në Kosovë në rajon dhe në botë”.

”Në të njëjtën kohë ne duhet të bëjmë edhe një reflektim shtesë. Gjendja nuk mbetet sërish e brishtë por mund të kthehet së prapthi, gjë që shpesh edhe ka ndodhur. Vendosja e tarifës 100% ndaj mallrave nga Bosnja dhe Serbia ende vazhdon, përkundër thirrjes pothuajse unanime së bashkësisë ndërkombëtare për heqjen e saj”.

”Qëndrimi i Beogradit është se heqja e taksës është kushti minimal për nisjen e bisedimeve. Udhëheqësit e Prishtinës po ashtu kanë caktuar kushte por jo me një unifikim të qëndrimeve”.

Tutje Zahir Tanin rekomandoi se edhe pala serbe edhe ajo kosovare duhet të tregojnë përgjegjësitë e tyre që kjo gjendje e cila tani është e komplikuar, të mos vazhdojë në përshkallëzim të situatës.

”Udhëheqësit e të gjitha palëve duhet të ushtrojnë përgjegjësinë e tyre në mënyrë që këtë gjendje komplekse ta drejtojnë larg nga çdo lloj përshkallëzimi”.

”Shpresoj që të gjitha palët e angazhuara mund të punojnë bashkë për tu siguruar që takimi i paraparë të mbahet në korrik në Paris të shfrytëzohet nga palët për t’ju kthyer çështjeve substanciale të cilat ndikojnë drejtpërsëdrejti në jetën e njerëzve dhe komuniteteve. Një nga zhvillimet e rëndësishme ishte organizimi i zgjedhjeve në katër komunat me shumicë serbe në Veri të Kosovës”.

”Pas tërheqjes së kryetarëve të këtyre komunave, si reagim ndaj taksës, presidenti shpalli zgjedhje të jashtëzakonshme të cilat u mbanë më 19 maj. Zgjedhjet ishin të qeta, rezultuan me fitore bindëse nga kandidatët të cilët e kishin pasur edhe më herë pushtetin në ato komuna”.

Në raportin e tij, Zahir Tanin pati kritika edhe për mënyrën e qasjes së institucioneve të larta të Prishtinës karshi veprimeve ndaj zyrtarëve të UNMIK-ut, gjatë operacionit kundër kontrabandë.

”Në mëngjesin e 28 majit, Policia e Kosovës ndërmori një operacion special të koncentruar në komunat veriore, në shënjestër ishin të dyshuarit për kontrabandë. Ky operacion çoi në arrestimin e disa të dyshuarve. Gjatë këtij aksioni u lënduan disa të dyshuar dhe pjesëtarë të Policisë së Kosovës”.

”Nga ky operacion u arrestuan dy punonjës të UNMIK-ut. Është përgjegjësi i OKB-së të sqarojë në mënyrë të qartë rrethanat në atë që kanë prekur punonjësit e saj dhe të sjellë fakte sa më shpejtë”.

”Imuniteti i punonjësve tonë para arrestimit nuk është respektuar. Prona e Kombeve të Bashkuara është bastisur në mënyrë jo të duhur. Përkundër kërkesave tona për një bashkëpunim dhe marrëdhënie pune normale me autoritetet e Prishtinës, gjendja e tanishme është se Prishtina i ka dhënë shumë pak dëshmi relevante dhe faktike lidhur me arrestimin e punonjësve tonë”.

Tanin theksoi se në informatat të cilat shpaloseshin detaje rreth arrestimeve të të dyshuarve ku bënin pjesë edhe dy punonjës të UNMIK-ut, mungonin baza të dëshmive.

”Në këto informata mungojnë baza adekuate të dëshmive. Një ditë pas largimit nga Kosova të punonjësit tonë ndërkombëtarë, ai është shpallur publikisht si person Non-Grata. Ashtu siç është theksuar doktrina e personave Non-Grata nuk vlen për punonjësit e OKB-së. Jam alarmuar se të dy punonjësit duket se janë rrahur dhe iu janë nënshtruar forcës dhe keqtrajtimit me ç’rast kanë pësuar lëndime dhe është kërkuar hospitalizim”.

”Gjatë këtyre ngjarjeve kam kërkuar që të ndodhë lirimi i tyre i menjëhershëm. Pavarësisht kësaj ne mbesim me shpresë se komunikimi i autoriteteve të larta të Prishtinës do të vazhdojë të mbetët më i detajuar”.

”Misioni ynë përkrahë të gjitha përpjekjet e institucioneve të Prishtinës në aksionet kundër krimit të organizuar. Vazhdimisht shqyrtoj prioritetet e misioneve por më duhet mbështetja juaj që kjo të bëhet në mënyrë efikase. Ne punojmë ngushtë me të gjitha palët e angazhuara në përpjekjet për transformimit të mjedisit nga ai në konflikt të ngrirë në mjedis komunikimi dhe partneriteti”.