Kryeministri

Zaevi: Rikonstruim të Qeverisë s’do të ketë, por disa ministra mund të ndërrohen

Kryeministri Zoran Zaev nuk mendon për rikonstruim më të gjerë të Qeverisë, por tregon se mund të ketë ndërrime të ministrave të caktuar.

“Nëse ndonjë ministër nuk vjen në punë, është e logjikshme se duhet qeveria të ulet dhe të mendojë që kjo të ndryshohet. Kështu shkojnë punët. Sigurisht që bisedojmë me partnerët e koalicionit të cilët kanë ndarë përgjegjësinë me ne edhe në resore të tjera. Nëse ka nevoja të atilla, po. Nëse diku nuk ka efekte që duhen e dimë se si të veprojmë. Kam folur me ministrat. Mos-realizimi i investimeve kapitale ka dy hapa. Hapi i parë është t’i marrim paratë dhe t’i adresojmë diku tjetër. Me rishikimin këtë e bëmë. Të gjithë këto pare i drejtuam te komunat që ta rrisim kapacitetin e vetëqeverisjes lokale. Hapi i dytë është përgjegjegjësia politike. As unë dhe as qytetarët nuk do të na kuptojnë nëse nuk i realizojmë programet, buxhetin, veçanërisht zhvillimin kapital të Maqedonisë sepse të gjithë jemi të përkohshëm këtu dhe duhet patjetër të mbajmë përgjegjësi”, u shpreh Zaevi pas vizitës së sotme në vendbanimin e përkohshëm për të pastrehët në Vizbeg të Shkupit.

Rikonstruim s’do të ketë por ndryshim të ministrave do të ketë?, u pyet kryeministri.

“Me siguri po”, tha Zaev.

Ndër emrat që jozyrtarisht flitet se mund të largohen nga kolltuku i kabinetit qeveritar janë zv.kryeministri për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit, Hazbi Lika, i cili për më shumë se gjashtë muaj nuk shkon në punë.

Siç mëson jozyrtarisht Alsat M, për përgjegjësi politike nga ai dhe nga ministri i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi, diskutohet edhe brenda vetë partisë amë, BDI-së.

“T’ju them të drejtën unë edhe nuk e kam pritur që të gjithë mediat mendojnë se unë kam edhe aq influencë sa i përket Qeverisë dhe të merrem edhe me projekte të cilat nuk janë në kuadër të Ministrisë së Ekonomisë, pra me ndërtimin e autostradave e kështu me radhë, të cilat janë në kompetencë të agjencive tjera në kuadër të shtetit të Maqedonisë. Sa i përket rikonstruimit, unë vij nga BDI-ja dhe sa i përket ndryshimeve në kuadër të funksionarëve të BDI-së vendos kryesia e Bashkimit Demokratik për Integrimin dhe kryetari Ali Ahmeti”, theksoi Kreshnik Bekteshi.

Zaevi, siç flitet jozyrtarisht, mund t’i largojë zv.kryeministrin për çështje ekonomike Koço Angjushev dhe ministrin e Financave, Dragan Tevdovski, për dështim në realizimin e investimeve kapitale.

“Adresa që mund t’ju përgjigjët për këtë pyetje është kryeministri”- tha Angjushevi.

Angjushev dhe ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe, emri i të cilit po ashtu është në listën e mundshme për shkarkim nga posti, vazhdimisht kanë qenë në qendër të kritikave për shpërndarje tenderësh dhe favorizim kompanishë.

Ndërkaq, jozyrtarisht, kabineti qeveritar është i pakënaqur edhe nga ministri i Vetëqeverisjes Lokale Suhejl Fazliu, për rezultate të dobëta në përpilimin e strategjisë për reforma dhe zhvillim të sektorit të tij, raporton Alsat-M.

Zaevi është pyetur disa herë për shkarkim të mundshëm të zv.kryeminsitrit për çështje evropiane Bujar Osmani, pas hetimeve të Prokurorisë Speciale për keqpërdorim të detyrës së minsitrit të Shëndetësisë në vitin 2010, por për këtë rast kryeministri ka thënë se respekton presumpcionin e pafajsisë.