Z-Mobile në Arbitrazh, do nga Telekomi 13.5 milionë euro dhe masë të përkohshme

Një zyrë ligjore nga Vjena do ta përfaqësojë Z-Mobile-in, në një betejë të re milionëshe me Telekomin e Kosovës.

Kompania e Blerim Devollit e ka dërguar në Arbitrazh kompaninë publike, nëpërmjet një padie 28-faqëshe të cilën e posedon Kohavisioni.

Në arbitrazhin e dytë, Z-Mobile kërkon rreth 13.5 milionë euro, ose 15 milionë dollarë siç thuhet në padi, për shkak të dëmeve të shkaktuara nga Telekomi.

Z-Mobile pretendon se marrëveshja e nënshkruar në vitin 2009, është në fuqi dhe nuk ka përfunduar më 31 korrik 2019, siç pretendon Telekomi i Kosovës.

Sipas kësaj kompanie, marrëveshja mbetet në fuqi për faktin që Tekekomit, po më 31 korrik, i është vazhduar licenca nga Autoriteti Rregullativ i Telekomunikacionit.

Z-Mobile i rendit tri arsye kryesore në padinë kundër ndërmarrjes publike.

– Një: Licenca nga Autoriteti Rregullativ i Telekomunikacionit që i referohet marrëveshja e vitit 2009, nuk ka skaduar. Ajo është vazhduar. Si licencë e vazhduar, ajo nuk është licencë e re. Në fakt, më 30 korrik 2019, vazhdimi quhet “e drejta e vazhdimit”. Rrjedhimisht, edhe marrëveshja e 2009-s është vazhduar. Telekomi duhet të vazhdojë të ofrojë shërbime të telefonisë mobile për Z-Mobile.

-Dy: duke e injoruar këtë, Telekomi ka synuar ta përfundojë marrëveshjen e vitit 2009 dhe e ka informuar Z-Mobile më 30 korrik, se marrëdhënia e tyre kontrakutale do të përfundonte më 31 korrik 2019, porse do të kishte një “periudhë tranzitore”. Krejt kjo, pa asnjë bazë ligjore dhe në kundërshtim me marrëveshjen e parë të vitit 2009.

Tre: Edhe sikur licenca e Telekomit të ketë skaduar dhe ai të fitonte një të re, Telekomi nuk e ka diskutuar rinovimin e kontratës me Z-Mobile-in në mirëbesim. Thënë më butë, për 6 muaj, Telekomi është tallur me Z-Mobile-in. Ngjarjet tregojnë se Telekomi ka vepruar në keqbesim që prej fillimit.

Z-Mobile ka thënë se në rast të ndërprerjes së shërbimeve pas fazës tranzitore, kjo kompani, jo që do të dëmtohej, por do të shkatërrohej e tëra dhe qindra-mijëra klientë do të mbesnin pa telefoni mobile brenda natës.

Prandaj, kompania ka kërkuar që Arbitrazhi urgjentisht të marrë masë të përkohshme, me të cilën e detyron Telekomin të vazhdojë ofrimin e shërbimeve për të.

Menaxhmenti i Telekomit është në dijeni të padisë dhe zyrtarët e tij i kanë thënë KTV-së se po bëhen gati për arbitrazh.

Për shkak se nuk i kishte ofruar shërbimet e 3G e 4G dhe nuk ia kishte dhënë gjithë numrat e kërkuar, Telekomi e kishte humbur arbitrazhin e parë me Z-Mobile-in.

Për shkak të kundërshtimit të punëtorëve dhe humbjeve të mëdha ndër vite, në fund të korrikut, Telekomi e njoftoi Z-Mobile-in se nuk do ta vazhdojë kontratën e nënshkruar 10 vjet më parë.

loading…