Yulia Navalnaya

Yulia Navalnaya paralajmëron botimin e autobiografisë së ish-opozitarit rus

E veja e Alexei Navalnyt, Yulia Navalnaya, ka njoftuar se në tetor do të publikohet autobiografia e ish-opozitarit rus që vdiq në burgjet ruse.

Ajo ka njoftuar të enjten se Navalny kishte nisur të shkruante librin mbi jetën dhe aktivitetin e tij në 2020-n, ndoshte ishte shprehur se “çfarë lloj biografie mund të shkruhet në moshën 44-vjeçare”.

Sipas Yulia Navalnayas, libri do të botohet edhe në gjuhën ruse.

“Nuk e imagjinoja fare se Alexei do të shkruante biografinë e tij. Mendova se do të ishim rreth 80-vjeçarë, e ai do të ishte ulur afër kompjuterit pranë dritares së hapur, duke shkruar. E, unë do të ankohesha për nipërit që do të vinin së shpejti, duke i thënë se është i zënë me marrëzi. Por, pas tentativës për helmim në 2020-n, të gjithë këmbëngulën: Alexei, duhet të shkruash një libër. Ai thjesht i ngrehi supet. Çfarë lloj biografie mund të shkruhet në moshën 44-vjeçare. Është në gjysmë të rrugës. Ai s’po ngutej, kishte ende shumë përpara. Por, gjërat dolën ndryshe. Në mënyrë të tmerrshme e shumë të padrejtë, doli se s’kishte gjysmë tjetër përpara. Alexei nisi të shkruante atëherë librin, e papritmas u fut në të. I pëlqente t’i kujtonte ngjarjet e jetës. Për shembull, i pëlqente të shkruante për fëmijërinë e tij. Por, s’do ta prish. Së shpejti do ta lexoni të gjithin. Më 22 tetor, biografia e Alexeit do të publikohet njëkohësisht në shumë gjuhë. Është përkthyer tashmë në 11 dhe porositë paraprake janë të qasshme që nga sot. E patjetër do të dalë edhë në rusisht”, ka shkruar ajo në rrjetin social X.

Navalny ka vdekur më 16 shkurt të 2024-s në një koloni penale ruse në Arktik. Bota perëndimore ka akuzuar Rusinë për vrasjen e tij.

VIDEO BONUS: