Ymeri thotë se PDK-ja, LDK-ja e VV-ja janë të padenje për të qeverisur vendin

Visar Ymeri nga koalicioni AAK-PSD ka thënë se secili subjekt politik, pos koalicionit që ai përfaqëson, në zgjedhjet e parakohshme për 6 tetor ka komponentë që e bën të padenjë për të qeverisur vendin.

Ai ka thënë se koalicioni AAK-PSD me bashkimin ka sjellë formë të re të politikëbëries në Kosovë teksa ka shtuar se asnjëra parti tjetër s’po tregohet e sinqertë me qytetarët gjatë fushatës, “duke iu shmangur temës së dialogut me Serbinë”.

“S’janë të sinqertë, sepse duhet t’u tregojmë sinqerisht çka e pret Kosovën. Të gjitha i dimë. Se cila do të jetë detyra e parë? Do të jetë ballafaqimi me Serbinë, por askush nuk flet, por flasin se do të luftojnë korrupsionin, por pse askush s’flet se çka do të bëjë me detyrën e parë. Ka komponente secila në vete që e bën të padenjë për të qeverisur me vendin”, ka thënë ai.

Për PDK-në dhe Kadri Veselin, Visar Ymeri ka thënë se ai ka lënë shumë për të dëshiruar në punën si kryetar i Kuvendit e se për punën si shef i SHIK-ut, “ka pas dakordancë gati shoqërore që duhet hetuar si organizatë”.

Ymeri tutje ka thënë se edhe LDK-ja nuk është e denjë për të qeverisur me vendin tash. Kjo ka thënë sepse LDK-ja “në rrugën deri në zgjedhje ka hyrë në shumë kompromise të brendshme”. Këtu ka përmendur se Isa Mustafa u zgjodh kryetar i partisë e Vjosa Osmani kandidate për kryeministre për të “parandaluar ndarjet e përçarjet”.

Për ish-partinë e tij, VV-në, Ymeri ka thënë se është transformuar shumë dhe më s’e njohin as mbështetësit e vet.

“Në fund kemi VV-në që konsideroj se s’është VV. Aq shumë është transformuar politikisht dhe konceptualisht sa them se as mbështetësit e VV-së s’e njohin më. Madje ka rrezik që as anëtarët s’e njohin. Për shembull ke njerëz në VV që dalin si përfaqësues në debate, si subjekt socialdemokrat, e thonë janë të djathtë. Ata janë njerëzit kryesorë për ekonomi. Transformimi është në rregull, por mendoj se duhet të pranohet se ‘kemi ndryshuar e s’jemi ata që kemi qenë e po dalim me ofertë të re e koncept të ri me fytyra të vjetra’. Të thuhet që jemi VV e të mos jemi me program VV, është mashtrimi që po u bëhet qytetarëve. Qytetarët e mbështesin VV-në për atë që ka qenë”, ka thënë ai.

loading…