Ymeri: Shqetësuese deklaratat e Johannes Hahn për viza

Deputeti i Kuvendit të Kosovës, nga radhët e Partisë Socialdemokrate Visar Ymeri, ka thënë se deklarimet për viza të Komisionerit për Fqinjësi Evropiane dhe Negociata për Zgjerim Johannes Hahn janë shqetësuese.

Ymeri ka thënë se procesi i vizave që nga fillimi ishte padrejtësisht me ratifikimin e marrëveshjes për shënjimin e vijës kufitare mes Kosovës dhe Malit të Zi dhe ky kushtëzim nuk kishte asnjëherë shpjegim logjik. Ai, ka shtuar se pas kalimit të demarkacionit ende kërkohet të pritet për viza dhe kështu po vihet në pikëpyetje vet kredibiliteti i institucioneve të BE-së.

Shihni më poshtë shkrimin e plotë të Visar Ymeri të bërë në “Facebook”.

Është jashtëzakonisht shqetësuese të dëgjohet një deklarim i tillë nga Komisioneri për Fqinjësi Evropiane dhe Negociata për Zgjerim Johannes Hahn, për procesin e vizave për qytetarët e Kosovës. Ky proces kishte qenë i lidhur padrejtësisht me ratifikimin e Marrëveshjes për Shenjim të Vijës Kufitare mes Kosovës dhe Malit të Zi, kushtëzim ky që asnjëherë nuk pati kurrfarë shpjegimi logjik. Dhe tash pasi që kjo marrëveshje u ratifikua, na thuhet se megjithatë duhet të pres procesi i liberalizimit të vizave. Kështu po vihet në pikëpyetje vetë kredibiliteti i institucioneve të BE-së.

Lëvizja e lirë është një prej të drejtave dhe vlerave evropiane. Prandaj ngurrimi i vendeve të caktuara, anëtare të BE-së, për t’ua zgjeruar këto të drejta edhe qytetarëve të Kosovës, bie ndesh drejtpërdrejt me vlerat dhe të drejtat fundamentale që e kanë ndërtuar dhe mundësuar deri tash Bashkimin Evropian.

Është gabim dhe e dëmshme që politikat e BE-së, veçanërisht karshi rajonit e Kosovës, të fillojnë të skicohen bazuar në qëndrimet ksenofobe të ekstremit të djathtë. Rritja e popullaritetit të forcave të këtilla politike është shqetësues për të gjithë. Dorëzimi i pjesshëm karshi tyre rrezikon t’u jep atyre të drejtë, në vend se t’i luftojë e reduktojë ato.

Natyrisht që qeverisja në Kosovë e sundimi i ligjit duhet doemos të ndryshohen. Këto, jo për shkak të kushteve të BE-së, por për shkak të lirisë, barazisë e mirëqenies së qytetarëve. Mirëpo këto nuk ndryshohen duke plotësuar kritere objektive në regjistrin e disa burokratëve të Brukselit, por me një vizion progresiv zhvillimor për ekonominë e shoqërinë dhe me një proces gjithëpërfshirës vettingu për gjyqësorin, policinë dhe prokurimin.