Ymeri: Përmes Mini-Schengenit, Serbia indirekt e njeh Kosovën

Ish-deputeti Visar Ymeri në emisionin Desku në KTV ka thënë se përmes Mini-Schengenit Serbia në mënyrë indirekte e njeh Kosovën.

Sipas tij Mini-Schengeni do të ketë problemet e veta, mirëpo pjesëmarrja e Kosovës në të krijon edhe një mundësi.

“Nuk po them se Kosova duhet të marrë pjesë në Mini-Shengen pavarësisht çmimit. Është një forum potencial në të cilin pjesëmarrja e Kosovës e negociuar si duhet mund t’i sjellë dobi Kosovës”, ka thënë Ymeri. “Pra, nëse e shohim Mini-Schengenin si parim në formën e tij, ta quaj, ideale, sepse nuk e di se çfarë janë marrë vesh, nuk është shumë transparente si procedurë. Jo çfarë janë marrë vesh (në Ohër e Novi Sad), çfarë nënkuptojnë ata me Mini-Schengen, sepse nëse modelohet sipas atij të BE-së ai nuk është marrë shumë me qarkullimin e mallrave por të njerëzve”.

Sipas Ymerit janë disa probleme te Mini-Schengeni, e i pari është ai politik.

“Pjesëmarrja në një marrëveshje multilaterale rajonale e Kosovës në të mund të bëhet vetëm në një formë, Kosova si Republikë e Pavarur, do të jetë një njohje ta quaj indirekte nëse Kosova pranohet si palë e barabartë dhe unë mendoj se nuk ka mundësi tjetër të pranimit pos si palë e barabartë”, ka thënë Ymeri.