Ymeri: Ministri Murati po mundohet të largojë vëmendjen nga çështja e shtesave për pensionistët

Visar Ymeri nga instituti “Musine Kokalari” ka thënë se ministri i Financave, Hekuran Murati, me publikimin e pjesshëm të listës së bizneseve përfituese nga Pakoja e Rimëkëmbjes nga Qeveria Hoti, ka dashur ta largojë vëmendjen nga vendimi i tij për shtesat për pensionet.

Qeveria të mërkurën vendosi që shtesat për pensionistët të jenë 10 euro në muaj, pasi kaloi afati i caktuar nga ish-Qeveria për shtesat prej 30 eurosh. Ky vendim u kritikua ashpër nga pensionistë e opozita.

Të enjten, fokusi u hodh te një listë prej 50 kompanive të cilat kishin përfituar më së shumti nga 60-milionë euroshi i subvencionuar nga Qeveria Hoti. Ministri Murati postoi në Facebook listën e 50 përfituesve më të mëdhenj, duke nxitur debat për profilin e përfituesve. Megjithatë, nga ky buxhet kishin përfituar mbi 35 mijë biznese. Edhe pse u arsyetua për transparencë, Murati u kritikua përse s’publikoi listën e plotë.

“Së pari mendoj se momenti është i çuditshëm për kohën e postimit pasi po merrte kritikat për shtesat për pensionet. Në këtë drejtim mendoj se publikimi ka qenë në një mënyrë për të shmangur vëmendjen në drejtim tjetër. S’po kuptoj saktë çfarë ka dashur të thotë ministri Murati. E kuptoj transparencën, por pse e pjesshme. S’shoh të keqe pasi ka qenë ndihmë për bizneset në bazë të numrit të punëtorëve. Me sa e di unë kriteri i vetëm ka qenë numri i punëtorëve, dhe një përqindje e pjesshme e pagave. Këtu ndërmarrjet me numrin më të madh të punëtorëve janë kompani që merren me shitje, tregti”, ka thënë ai në Interaktiv të KTV-së.

Me ndryshimin për shtesat në pensione, Ymeri ka thënë se Qeveria po mundohet të jetë “më shumë konservatore karshi shpenzimeve, sesa progresive karshi krizës”.