Ish kryetari i VV-së

Ymeri: Kurti e ka nisur mbarë, por s’ka pse të ndryshojë vetëm se është bërë kryeministër

Ish-kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje Visar Ymeri, që së fundmi ka themeluar një institut për politika sociale “Musine Kokolari”, ka vlerësuar se është mirë për Kosovën që është krijuar qeveria nga koalicioni LVV-LDK.

Ai beson se Qeveria Kurti ka nisur mirë punën në tri javët e para të saj, por mospublikimi i programit qeverisës, sipas Ymerit, nuk iu jep hapësirë për të kritikuar ata.

“Së pari mendoj që është shumë mirë që është themeluar Qeveria. Mendoj se është mirë për Kosovën që e kemi këtë qeveri, pasi që të dyja kanë vepruar së bashku edhe në opozitë. Në këtë trejavësh një mangësi mjaft e madhe është që nuk kemi një dokument që do të quhej planprogrami qeverisës”, ka thënë ai në emisionin “Blic InterView”.

Ish-bashkëpartiaku shprehet se Albin Kurti ka ndryshuar që nga marrja e funksionit të Kryeministrit, por këtë ndryshim, Ymeri e cilësoi si të gabuar.

“Gjatë këtij rrugëtimi politik unë kam parë që ka një ndryshim tek Albini. Unë mendoj që arsyeja e ndryshimit, për faktin se je bërë Kryeministër, është gabim”.