Në seancën e jashtëzakonshme parlamentare për dhunimin seksual në Drenas, në emër të Grupit Parlamentar të PSD-së, Visar Ymeri, ka thënë se është hipokrizi të diskutohet sot në parlament për dhunimin, sepse tashmë është shumë vonë.
Ymeri ka thënë se në Kosovë nuk është ndërtuar shtet që i mbron vajzat dhe gratë, por një shtet që i dhunon.
Ai tha se për këtë rast të dhunimit në Drenas, institucionet e Kosovës kanë dështuar, sepse siç tha ai në këtë krim janë të përfshira tri instancat e autoritetit: mësuesi, polici dhe mjeku, të cilët si zinxhirë keqpërdoren pozitën zyrtare e autoritetin që ia m’vesh profesioni e sistemi për t’u angazhuar në përdhunim sistematik ndaj një të miture, duke përjashtuar tërësisht subjektivitetin e saj njerëzor e të drejtat e saja qytetare.
Po ashtu, ai tha se ajo që është parë këto ditë në formë të reagimit shoqërore është inkurajuese.Ymeri ka thënë se duhet t’i kushtohet kujdes të veçantë masave rehabilituese e socializuese për viktimën nga Drenasi, duke fuqizuar dhe mirë financuar strehimoret të cilat ekzistojnë në Kosovë.







