Ymeri i PSD-së: Jemi në biseda me AAK-në për koalicion

Tash kur duket se zgjedhjet janë të pashmangshme në vend, partitë kanë nisur diskutimet për koalicionet parazgjedhore.

Visar Ymeri, nënkryetari i Partisë Socialdemokrate, ka thënë se PSD pragun mund ta kalojë edhe e vetme, por thotë se janë të gatshëm për koalicione me partitë tjera për shkak që idetë e tyre politike të institucionalizohen dhe pastaj të praktikohen.

“Kur flitet për PSD-në, nuk flitet për kalim të pragut, por për atë që programi ynë të bëhet realitet. Unë besoj që pas këtyre zgjedhje do të kemi 10 deri në 12 deputetë”, ka thënë Ymeri në Info Magazine të Klan Kosovës.

“Ne jemi të interesuar për bashkëpunim që fuqia jonë të rritet. Nuk përjashtohet një koalicion parazgjedhor në mënyrë që ky koalicion të jetë fitues i zgjedhjeve dhe ne ta implementojmë programin tonë – nisur nga propozimet tona për reformën pensionale dhe deri idetë për rritjen e pagës minimale”.

“Kemi pasur dhe kemi diskutime. Deri tashmë kemi biseduar me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, por nuk kemi të definuar dhe të nënshkruar asgjë. Javën e ardhshme besoj se gjërat do të qartësohen më shumë”.

Por, PSD është kundër një koalicioni me PDK-në. Ymeri thotë se së paku për një mandat kjo parti duhet të jetë në opozitë.

“…që të ndryshojë rrënjësisht politikbërja në Kosovë. Aparati shtetëror që është i kapur dhe i kontrolluar të çlirohet nga kapja. Po nuk u bë kjo ç’kapja e shteti, kjo do ta pamundësonte çfarëdo progresi tjetër – dhe kjo nuk do të bëhej duke e pasur PDK-në në qeverisje”, ka thënë ai. /Ballkani.info/

loading…