Ymeri flet për bashkimin doganor Kosovë-Shqipëri

Visar Ymeri nga Partia Social Demokrate ka thënë se bashkimi doganor Kosovë – Shqipëri, është parakusht për zhvillim ekonomik rajonal.
“Një treg Kosovë-Shqipëri është domosdoshmëri e kohës. Kjo ia rritë potencialin dy ekonomive tona, duke rritur intensitetin e shkëmbimeve tregtare, vëllimin ekonomik të prodhimeve vendore të Kosovës dhe Shqipërisë, si dhe mundësinë e ekonomisë së shkallës”, ka shkruar Ymeri në Facebook.

Ai ka thënë se pika e përbashkët e kontrollit në kufi është një hap drejt këtij bashkimi doganor duke përshëndetur gatishmërinë e kryeministrit Rama për bashkim doganor.

Ymeri ka përmendur faktin që më 5 qershor të këtij viti, me propozimin e tij, në emër të Grupit Parlamentar të PSD-së, Kuvendi i Republikës së Kosovës ka miratuar rezolutën e cila kërkonte nga Qeveria e Republikës së Kosovës t’i nis procedurat për unifikimin doganor mes Kosovës dhe Shqipërisë.
“Një treg Kosovë-Shqipëri na vendos strategjikisht në një pozicion të favorshëm ekonomik karshi rajonit. Kështu, dhe vetëm kështu, i bëjmë ballë tendencave hegjemoniste ekonomike në rajon. Ky është parakusht për një zhvillim ekonomik të rajonit në kushte barabarësie prej të cilit përfitojnë të gjithë”, ka thënë Rama.