Ylli shënon fitoren e parë historike në FIBA Europe Cup, triumfon në udhëtim te Brose Bamberg

Golden Eagle Ylli ka shënuar fitoren e parë në kuadër të fazës së grupeve të FIBA Europe Cup. Kampioni në fuqi i Kosovës, e befasoi ekipin nga Gjermania, Brose Bamberg që e mposhti në shtëpi. Dueli i luajtur të mërkurën mbrëma në “Brose Arena” përfundoi me fitoren e ngushtë të Yllit me rezultatin 81:78. Për Yllin, kjo është fitorja e parë në kuadër të Grupit A pas dy humbjeve rresht.

Ndërsa, Bambergu që ishte ekipi i vetëm pa humbje pas dy ndeshjeve të para, e regjistroi disfatën e parë. Ylli luajti mirë në çerekun e parë dhe dy periudhat e fundit, ndërsa Bambergu ishte efikas vetëm në çerekun e dytë. Dhjetë minutat e para, përfunduan me epërsinë e Yllit 27:19, por Bambergu u rikthye fuqishëm në periudhën e dytë duke e limituar ekipin kosovar në vetëm nëntë pikë karshi 20 të shënuarave.

Edhe pse çereku i tretë startoi me epërsinë e Bambergut, Ylli nuk u dorëzua dhe nuk lejoi Bambergut të shkëputet. Periudha e fundit, nisi me rezultatin 63:60 në favor të ekipit vendas por kjo nuk i mjaftoi për ta mposhtur Yllin.

Në këtë çerek, Ylli shënoi 21 pikë dhe arriti ta fitojë ndeshjen me rezultatin e ngushtë. Katër lojtarë të Yllit, ndeshjen e mbyllën me pikë dyshifrore. Më efikasi ishte Rashun Davis me 19 pikë e shtatë kërcime, ndërsa lojë të mirë treguan edhe Jay Threatt (18), Malcolm Armstead (13) e Ahmed Bashir (10). Te Bambergu, më të dalluarit ishin Christian Sengfelder dhe Justin Wright-Foreman, por që nuk arritën ta ndihmojnë ekipin për të evituar humbjen e parë në fazën e grupeve. Sengfelder pati 23 pikë, ndërsa Ëright-Foreman shtoi 18 sosh. Me këtë fitore, Ylli ngrihet në koutën e katër pikëve, sa i ka edhe Niners Chemnitz, që të mërkurën pësoi në udhëtim nga Hapoel Galil Elioni me shifrat 78:73. Hapoeli tani ka pesë pikë, së bashku me Bambergun pas tri ndeshjeve të luajtura.

Edhe ndeshjen e xhiros së katërt, që luhet javën e ardhshme, Ylli e luan në udhëtim. Më 2 nëntor do të jetë mysafir i Hapoelit nga Izraeli. Ndeshjen e parë të Grupit A, Ylli e humbi në shtëpi nga Hapoeli (93:76), përpara se të mposhtet edhe nga Chemnitzi (90:60) në udhëtim.

Të dy këta kundërshtarë, Brose Bambergu i kishte mposhtur në udhëtim. Për Yllin, kjo është hera e parë që po paraqitet në garat e FIBA-s. Në fakt, Ylli këtë edicion rrugëtimin evropian e filloi në Ligën e Kampionëve, por u eliminua në çerekfinale të turneut kualifikues. Pas eliminimit, ekipi nga Suhareka e shfrytëzoi të drejtën për të garuar në fazën e grupeve të FIBA Europe Cup. Ylli është ekipi i vetëm që këtë sezon po e përfaqëson basketbollin kosovar në garat e FIBA-s. Sigal Prishtina dhe Trepça, u eliminuan në kualifikime të FIBA Europe Cup./Demokracia.com/