“Yll në Ballkan” | Prestigjiozja The Economist me një artikull shumë pozitiv për Edi Ramën

Gazeta prestigjioze britanike The Economist i ka kushtuar një artikull të tërë e mjaft pozitiv kryeministrit të Republikës së Shqipërisë, Edi Ramës. Çka thuhet aty?

Ky artikull është titulluar “Shqipëria s’është më një shaka e keqe ballkanike” (ang. Albania is no longer a bad Balkan joke”).

Aty tregohen sfidat me të cilat po përballet Shqipëria, por me një ton mjaft pozitiv për kryeministrin e Shqipërisë Ramën.

“Përgjatë pjesëve më të përgjumura e rebele të Evropës, Ballkani mund të ketë një dritë të re udhëheqëse. Ai është kryeministri i Shqipërisë, një 58-vejçar ish-basketbollist dhe artist modernist me emrin Edi Rama.” – thuhet në këtë artikull.

Aty tregohet se si z. Rama ka fituar bindshëm zgjedhjet e fundit në Shqipëri, dhe se si është lideri i vetëm në Ballkan që ka fituar katër mandate radhazi.

Dhe, siç mund të pritej aty flitet edhe për qasjen e Ramës në raport me Kosovën dhe Serbinë, ku i lihet edhe etiketa e një “ylli në Ballkan”.

“Sot ai mund të pretendojë të jetë një yll ballkanik, madje edhe një influencë qetësuese në një rajon ende të brishtë: dëshmitar i shqetësimeve në Kosovën fqinje, ku minoriteti serb ka protestuar kundër shumicës etnike shqiptare. Rama refuzon t’i inkurajojë kusherinjtë e tij, derisa i bën thirrje Perëndimit të merret me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiqin, në mënyrë sensitive.”

Më tej, në artikull citohet në mënyrë anonime edhe një ‘observues perëndimor’ derisa flet për Ramën.

“Një observues perëndimor e quan atë “të shkëlqyer, vizionar, eksentrik, egomaniak… dhe me një sens të fortë të trashëgimisë që do të lë në histori”.

Në përballje me kritikat ndaj Ramës, tregohen fjalët e këtij të fundit se ky e ka modeluar Partinë Laboriste të Britanisë në kohën e Tony Blairit.

“Korrupsioni endemik është ende një prej njollave më të mëdha në Shqipërinë e sotme. Të dyja partitë e mëdha konsideron përgjegjëse, në sytë e shumicës së shqiptarëve.” – vazhdon tutje.

Po ashtu, artikulli tregon se një problem shumë i madh i Edi Ramës është emigracioni.

Ndërkohë, cila do të ishte trashëgimia më e madhe e Ramës në politikë thuhet në pjesën vijuese – e që fatkeqësisht po e mundon rëndë edhe Kosovën:

“Por keqardhja e tij më serioze është mungesa e vijueshme e qytetarisë në politikën e shtetit të tij. Të gjitha palët pa dallim denoncojnë tjetrën si gangsterë, hajdutë, e bile edhe vrasës, që në disa raste është e vërtetë. Kjo, e pranon ai, vjen prej kohës së kobshme të Enver Hoxhës, kur mospajtimi më i vogël shpesh nënkuptonte dëbim, burgosje apo edhe ekzekutim. Nëse Shqipëria ndonjëherë bëhet demokraci liberale, kjo, e pranon z.. Rama, duhet të ndryshojë. Nëse kjo ndodh, do të ishte arritja e tij më e madhe. Ndoshta për një gjë të tillë duhet edhe një tjetër gjeneratë.”

Kujtojmë që sot Edi Rama njoftoi opinionin se e kishte dërguar te presidenti Macron e kancelari Scholz një draft të statutit të Asociacionit. Ai shprehu shqetësim të thellë për situatën në të cilën ndodhej Kosova.

Në anën tjetër, kujtojmë se kryeministri Kurti ka kaluar disa ditë të vështira me raportime nga mediet ndërkombëtare për të, e të cilat mund t’i gjeni si më poshtë: