Yjet e Bayernit kërkojnë transferimin e Coutinhos

Yjet e Bayernit iu kanë bërë thirrje krerëve të klubit që të transferojnë Philippe Coutinhon, pas shkëlqimit të tij të shtunën.

Coutinho është i huazuar për një stinor te Bayerni nga Barcelona.

Braziliani shkëlqeu duke shënuar tre gola dhe asistuar dy të tjerë në fitoren e thellë 6-1 të shtunën ndaj Werder Bremenit.

Rezultati ka kthyer djelmoshat e Hansi Flick në rrugën e duhur në garë për titull në Bundesligë, pas humbjes që Bayerni pësoi fundjavën e kaluar nga Borussia Monchengladbachu.

Yjet e Bayernit iu kanë bërë thirrje krerëve të klubit që të shfrytëzojnë opsionin për të blerë Coutinhon.

“Nëse keni shikuar ndeshjen, duhet të blejmë atë, apo jo?”, ka thënë ylli austriak i Bayernit, David Alaba.

Sulmuesi Robert Lewandowski, që ka shënuar tashmë 29 gola në 23 ndeshje në të gjitha garat këtë stinor, ka shtuar: “Ishte e jashtëzakonshme ajo që bëri. Neve na duhet një lojtar i tillë. Jam shumë i lumtur që tregoi se çfarë është në gjendje të bëjë”.

Çështja është se Bayerni duhet të paguajë 120 milionë euro, sa është klauzola për blerje, për të transferuar Coutinhon verën e ardhshme.

Një faktor tjetër është interesimi i Bayernit për mesfushorin e Bayer Leverkusenit, Kai Havertz, që luan në rol të ngjashëm dhe mund t’iu kushtojë bavarezëve përafërsisht sa Coutinho, për ta marrë nga Leverkuseni.

Flick ndërkohë mbetet trajner i përkohshëm pas shkarkimit të Niko Kovaçit, por Alaba shpreson që ai të mbetet më gjatë.

“Ne ndihemi shumë komod me të”, ka thënë austriaku. “Mund të shihni shumë mirë në lojën tonë filozofinë e tij”, shtoi ai.

Drejtori sportiv i Bayernit, Hasan Salihamidzic ka thënë se mendimet e lojtarëve do të merren parasysh, porse vendimi final përfundimisht merret nga menaxhmenti i klubit.

“Sigurisht, ne shikojmë nga afër se si punojmë, si punon trajneri. Sigurisht, lojtarët mund të kërkojnë, por në fund janë krerët ata që vendosin”, ka thënë drejtori sportiv.

Bayerni pas 15 xhirove zë vendin e katërt me 27 pikë, ka gjashtë më pak se lideri RB Leipzig.