YIHR-i dënon ashpër shpalljen e Lazareviqit si qytetar nderi në Serbi

Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut në Kosovë (YIHR Kosovë) dhe Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut në Serbi (YIHR Serbia) kanë ‘’dënuar ashpër shpalljen e kriminelit të luftës, Vladimir Lazareviq, si qytetar nderi nga komuna Pantelej e Nishit të Serbisë’’.

Vendimi për nderim është përkrahur nga asambleja komunale e kontrolluar na Partia Progresiste Serbe e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq.

‘’Ne i bëjmë thirrje qeverisë së Serbisë që të ndalojë nderimet e kriminelëve të luftës dhe të përqendrohet në procesin e pajtimit duke punuar së bashku me vendet e tjera të rajonit në proceset e ballafaqimit me të kaluarën. Është përgjegjësi e autoriteteve në Serbi që të mos glorifikojnë kriminelët e luftës si Lazarevic. Përkundrazi, shteti i Serbisë ka për obligim të ndjekë penalisht të gjithë ata që kanë kryer krime lufte, por edhe të shfrytëzojë sistemin e edukimit formal për të nxitur kulturën e përkujtimit të viktimave të luftës në Kosovë. Ne, si brez i të rinjve nga Kosova dhe Serbia, gjithmonë do të jemi kundër nderimit të kriminelëve të luftës. Ne do të vazhdojmë të kundërshtojmë rrëfimet e njëanshme të historisë dhe do të punojmë për të edukuar të rinjtë në ndërtimin e paqes mes dy shteteve’’, thuhet në reagimin e tyre.

YIHR-i shton se asnjë marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve mes dy shteteve nuk mund të arrihet, pa u dënuar të gjithë kriminelët e luftës.

‘’Ne besojmë se asnjë marrëveshje e detyrueshme për normalizimin e marrëdhënieve mes dy shteteve nuk do të mund të sjellë paqe dhe zhvillim për të dyja shoqëritë, pa u dënuar të gjithë kriminelët e luftës dhe pa u nderuar të gjitha viktimat e luftës nga institucionet relevante të të dy shteteve’’, vijon tutje reagimi i tyre.

Lazareviq ka qenë për 10 vjet në burg për shkak të dënimit të shqiptuar nga Tribunali Ndërkombëtar i Hagës për ish-Jugosllavi, për shkak të dëbimeve dhe trajtimit çnjerëzor të kosovarëve, sa ka qenë në pozitën e komandantit të ushtrisë jugosllave në Prishtinë në vitet 1990.

Lazareviq është kthyer në Nish në dhjetor të vitit 2015, meqë është liruar pas kryerjes së dy të tretave të dënimit në Hagë.