Yaya Toure: Racizmi në futboll është shtuar sepse tifozët janë më budallenj

Ish ylli i Manchester Cityt, Yaya Toure, beson se tani është bërë më e vështirë të luftohet racizmi në futboll, pasi që, sipas tij, tifozët në tribunat e stadiumeve janë më budallenj sesa që ishin më parë.

Toure ka qenë njëri ndër kritikët më të mëdhenj të reagimeve të autoriteteve të futbollit ndaj racizmit gjatë viteve të fundit, mirëpo tani incidentet e tilla kanë marrë më shumë vëmendje sesa më parë në Evropë.

Këtë sezon ka pasur vazhdimisht thirrje, veprime dhe gjeste raciste nëpër ndeshje në shumë vende, përfshirë këtu Italinë, Anglinë, Holandën, Bullgarinë e Malin e Zi.

Romelu Lukaku kishte qenë cak i thirrjeve raciste gjatë një ndeshjeje në Serie A, përderisa edhe ekipi kombëtar i Anglisë ishte detyruar ta ndalë dy herë ndeshjen kundër Bullgarisë për shkak të thirrjeve raciste nga tifozët.

Në Premierligë, së fundi, u kap një tifoz duke bërë gjeste raciste gjatë derbit të qytetit mes Manchester Unitedit dhe Manchester Cityt.

“Unë kam folur me FIFA-n sepse kjo është një gjë shumë e rëndësishme, të cilën ne duhet ta vrojtojmë me kujdes. E di se do të jetë punë e vështirë sepse rruga drejt triumfit në këtë betejë është e gjatë”, ka thënë Toure.

“Tifozët, njerëzit, tani janë më budallenj sesa kurrë me parë. Kjo gjë është bërë më tronditëse sepse tani jemi në vitin 2019. Në vitet 2020 dhe 2025, kur do të vijnë fëmijë të tjerë – çfarë do të bëjmë? Nuk mund të vazhdojmë kështu”.