Xiaomi prezantoi një klon të Apple Watch dhe me gjysmën e çmimit

Xiaomi, i cili konkurron me Apple për vendin e parë në tregun e veshjeve elektronike, shtoi presionin ndaj prodhuesit të iPhone ditën e sotme kur prezantoi orën e parë inteligjente të quajtur Mi Watch dhe është thuajse identike me orën e Apple.

Mi Watch, ashtu si Apple Watch, ka një trup në formë katrore me një kurorë dhe buton. Ekrani prej 1.78-inç AMOLED ka 326 pikselë për çdo inç dhe vjen me funksionin që mban ndezur ekranin “Always On” dhe ndërfaqen MIUI, versionin e modifikuar të Xiaomi të Google Wear OS.

Në brendësi të këllëfit prej metali, konkretisht alumin, gjenden mikrofonë në të dy anët për regjistrimin e zërave dhe kryerjen e telefonatave ndërsa një altoparlantë në të majtë shërben për të dëgjuar muzikë dhe marrë telefonata.

Mi Watch i cili ka vetëm një madhësi, 44mm, ka një pjesë të pasme prej qeramike ku gjenden edhe konektorët e karikimit dhe sensori i matjes së rrahjeve të zemrës.

Ora fuqizohet nga procesori Qualcomm Snapdragon Wear 3100 me rrjet 4G dhe katër bërthama Cortex-A7 me frekuencë 1.2Ghz. procesori shoqërohet nga 1GB RAM dhe 8GB memorie të brendshme.

Kompania thotë se Mi Watch është ora e parë me konektivitet celular (përmes eSIM), Wi-Fi, GPS, Bluetooth dhe NFC për pagesat. Me një karikim të vetëm ajo qëndron për 36 orë funksionale.

Me Mi Watch përdoruesit mund të gjurmojnë edhe gjumin, performancën gjatë notimit, çiklizmit, vrapimit si dhe të masë ritmin e zemrës.

Mëse 40 aplikacione popullor si TikTok dhe QQ Messenger janë të disponueshëm për Mi Watch. Kompania ka integruar gjithashtu asistentin virtual XiaoAI.

Mi Watch kushton 185 dollarë dhe del në shitje në Kinë javën e ardhshme. Nuk dihet ende kur do të shitet ndërkombëtarisht por nëse e kaluara përsërit, Xiaomi do të shesë orën edhe në Indi, Singapor, Indonezi dhe tregjet e tjera në tremujorin e ardhshëm.

Së fundi kompania thotë se një variant i Mi Watch me xham safire dhe trup prej çeliku do të shitet muajin e ardhshëm në Kinë për 285 dollarë.

loading…