Xi Jinping ndez tensionet me Tajvanin: Kina nuk do të heqë dorë nga përdorimi i forcës

Presidenti i kinës Xi Jinping tha se i takon popullit kinez të zgjidhë çështjen e Tajvanit. Xi Jinping u shpreh se Kina nuk do të heqë dorë nga përdorimi i forcës.

“Kina kurrë nuk do të heqë dorë nga e drejta për të përdorur forcën, por do të përpiqet për një zgjidhje paqësore”, tha presidenti Xi Jinping.

Në hapjen e Kongresit të 20-të të partisë komuniste në Pekin Xi tha se Kina gjithmonë respektonte popullin e Tajvanit dhe ishte e përkushtuar për të promovuar shkëmbimet ekonomike dhe kulturore në të gjithë ngushticën e Tajvanit.

“Ne këmbëngulim të përpiqemi për perspektivën e ribashkimit paqësor me sinqeritetin më të madh dhe përpjekjet më të mira, por nuk do të premtojmë kurrë se do të heqim dorë nga përdorimi i forcës dhe do të rezervojmë mundësinë për të marrë të gjitha masat e nevojshme”, tha presidenti kinez.

Tajvani, të cilin Kina e sheh si territorin e vet, u përgjigj se nuk do të tërhiqet nga sovraniteti i saj apo kompromisi për lirinë dhe demokracinë.

Tensionet midis Pekinit dhe Taipeit u rritën në mënyrë dramatike në gusht pasi Kina organizoi lojëra luftarake pranë Tajvanit pas vizitës në Tajvan të kryetares së Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA Nancy Pelosi. Këto aktivitete ushtarake kanë vazhduar edhe pse me një ritëm të reduktuar.