Juliana Nura

Xhuli: Në Kosovë nuk do të bëhet më luftë, por nëse bëhet Vedati do të ikë përsëri – ai është ‘Komandant Bllaca’

Juliana Nura, një ndër bukuroshet që mori pjesë në shtëpinë e “Big Brother VIP Kosova 1”, i ka dërguar një thumb të fshehtë aktorit Vedat Bajrami, me të cilin pati një konflikt të hapur gjatë qëndrimit të tyre në program. Këtë e bëri gjatë një pyetjeje nga moderatori Fis Juniku në lidhje me mundësinë e rikthimit të luftës në Kosovë.

Në një reagim të zgjuar, Juliana e lidhi përgjigjen e saj me rrëfimin e njohur të Vedatit rreth përvojës së tij në Bllacë gjatë luftës së fundit në Kosovë, ku Vedati pati treguar me shumë ndjenja se si ishte përfshirë si refugjat. “Nuk mendoj që do të krisë më lufta. Vedati do të ikë përsëri, ai është Komandant Bllaca, e ka thënë vet,” u shpreh ajo me një ton të lehtë, duke iu referuar pseudonimit që Vedati kishte përdorur për veten gjatë qëndrimit në BBVK 1.

Në vazhdim të përgjigjes së saj, Juliana përshëndeti të gjithë ata që kontribuan në luftën për liri, duke u shprehur me respekt dhe mirënjohje: “Faleminderit për krejt ata që i kanë kapur pushkët edhe janë bërë burra, kanë luftuar për këtë vend, dhe sot ne flasim shqip, lirshëm dhe jemi të lirshëm të bëjmë atë që duan. Kështu që faleminderit atyre meshkujve dhe grave që kanë luftuar dhe nuk i kanë lënë serbët të na pushtojnë”.

Me një ton të vendosur, bukuroshja i bëri thirrje të tashmes dhe të ardhmes duke theksuar kohën e diturisë si epokën e re për Kosovën. “Por unë mendoj se koha e luftës ka përfunduar, tash është koha e diturisë,” përmbylli ajo.

Kjo përgjigje e Julianës u prit me reagime të ndryshme, ku shumë vlerësuan kurajon dhe mënyrën e saj të drejtpërdrejtë të të shprehurit, ndërsa të tjerët u ndanë mbi referencën e saj ndaj Vedatit, duke e cilësuar si një moment pikant që shton në dramën e vazhdueshme të showbizit kosovar.