Xhirimet tregojnë se McGregor e goditi i pari një pjesëtar të ekipit të Khabib

Xhirimet kanë treguar se Conor McGregor e ka bërë goditjen e parë kundrejt një anëtari të ekipit të Khabib Nurmagomedov në UFC 229.

Dueli i shumëpritur ndërmjet kampionit në fuqi në kategorinë peshave të lehta dhe ish-kampionit, përfundoi me triumfin e luftëtarit nga Dagestani, mirëpo u shoqërua me incidente pas meçit.

Menjëherë pas triumfit më të madh në histori të UFC-së, Khabib doli nga ‘Tetëkëndëshi’ në përpjekje për ta sulmuar Dillon Danisin, pjesëtar i ekipit të McGregor.

Nga ana tjetër nisi përleshja ndërmjet irlandezit dhe pjesëtarëve të ekipit të Nurmagomedov, tre prej të cilëve janë arrestuar.

McGregor vendosi të mos ngrejë padi kundër tyre, ndërsa xhirimet kanë treguar arsyen pse e mori këtë vendim.

Në fakt, ka qenë pikërisht ‘Notorious’ ai që e ka goditur i pari një anëtar të stafit të Khabibit dhe pastaj është sulmuar nga dy të tjerë.

Derisa njëri prej anëtarëve të ekipit të rusit filloi të bërtasë në drejtim të Conor, ky i fundit ia ktheu me grushte dhe në atë moment nisi përleshja mes tyre, ndërkohë që Khabib kishte dalë nga ‘Tetëkëndëshi’ dhe përleshej me anëtarët e stafit të McGregorit.