Xhepat e qytetarëve po zbrazen, kriza vazhdon të rritet

Inflacioni vazhdon të jetë njëra ndër çështjet më problematike në Kosovë. Këtë e bën të ditur një raport i publikuar nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), ku theksohet se rritja e normës së inflacionit është 12.7 % në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. Si rezultat i inflacionit edhe çmimet e produkteve të ndryshme kanë shënuar rritje në vend.

Sipas raportit të ASK-së rritje është pësuar edhe në lëndët djegëse, si druri e peleti. Të dhënat e raportit, i quajtur “Indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit (IHÇK), Shtator 2022”, tregojnë se çmimi i lëndëve djegëse të ngurta, dru zjarri, pelet dhe të tjera në muajin shtator është rritur për 9.2%.

I njëjti raport, po ashtu specifikon se çmimi i lëndëve djegëse të ngurta, dru zjarri, pelet, në krahasim me muajin shtator të vitit 2021, ka shënuar rritje për 60.2%.

Bazuar në të dhënat e tabelës së ASK-së, shihet se saktësisht metri i drurit ah gjatë muajit shtator ka kushtuar 50 euro, ndërkohë që metri i drurit bung ishte më shtrenjtë dhe është shitur për 67.33 euro.

Ndërsa, aktualisht çmimi i drunjve përsëri është rritur krahasuar me muajin paraprak. Këtë e ka bërë të ditur një nga druvarët shitës në Prishtinë, i cili ka kërkuar të mbetet anonim, por që ka thënë se ai e shet metrin e drurit me një çmim prej 65 deri në 70 euro, ndërsa 5 euro kushton prerja për metër.

Lidhur me këtë çështje ka pasur ankesa nga qytetarët, të cilët janë shprehur të shqetësuar për çmimin.

B.Z., qytetar nga komuna e Podujevës është shprehur se këtë rritje të çmimit të drunjve po e përjetojnë keq qytetarët e vendit, madje ai ka thënë se është shqetësuese në të ardhmen të ngelim edhe pa drunj, për shkak të kërkesës së lartë për të siguruar drunjtë.

“Kjo rritje e çmimeve është shqetësim për ne si qytetar. Unë erdha në Prishtinë, për t’i siguruar drunjtë por, më duket se çmimet paskan shkuar në qiell. Prapë se prapë duhet me i ble, se edhe pak ditë mund të mbesim pa to, pasi po shihet se interesimi për të blerë drunjtë për dimër është shumë i lartë”, ka thënë qytetari nga Podujeva.

Ilustrim

Se ka rritje të interesimit për blerje të drunjve, për Portalin Dukagjini në kushte anonimiteti ka folur njëri nga druvarët në qytetin e Pejës, i cili ka thënë se kërkesa për blerje të drunjve të llojeve të ndryshme është shumë e lartë, edhe pse edhe çmimet janë të larta.

“Këtë zanat e kam që 4 vite, e kanë pas edhe vëllezërit e mi më parë, por kurrë nuk janë shitë kaq shumë e me fitua shumë me drunj. Sot po blihen shumë drunjtë, nuk e di apo tuten që s’ka me pas a çka, e unë jom tu e shit 65 euro metrin e drurit, pak ma lirë prej tjerëve që e kanë bo ka 70 në Pejë”, ka thënë ai.

Njashtu, përpos ngritjes së çmimit të drunjve, shqetësuese vazhdon të jetë edhe ngritja e çmimit të peletit.

A.B., qytetar nga Komuna e Obiliqit i cili ngroh shtëpinë me pelet e konsideron si fajtore edhe qeverinë e Kosovës, për shkak se sipas tij nuk shqipton dënime për tregtarët që po shesin peletin me çmim të lartë.

“Unë peletin e kam ble në korrik, kur veç ka fillu me u rrit çmimi i tij, 300 euro për 1 ton e kam marr, e zakonisht 180 u kanë më parë. Tash edhe ma keq për ata që se kanë ble, 500-600 e te nalt po shkon çmimi. Kjo është tmerr, lufta në Ukrainë s’ka mujt me ndiku edhe te çmimi i peletit bre, s’ka shtet me i dënu këta tregtar”, ka thënë A.B.

Lidhur me këtë çështje Portali Dukagjini i ka adresuar disa pyetje edhe tek përfaqësuesja e kompanive që prodhojnë mobilie apo produkte të ndryshme nga druri, Arieta Vula- Pozhegu, e cila ka bërë të ditur se kompanitë kanë vështirësi për sigurimin e lëndës drusore, dhe se ka rritje të çmimeve edhe të drunjve, edhe të produkteve që prodhohen nga druri.

Arieta Vula- Pozhegu, përfaqësuese e Kompanive që prodhojnë mobilje dhe produkte druri

“Kompanitë kanë vështirësi në sigurimin e lëndës së parë drusore, por ja dalin disi. Edhe ndryshimet në çmim kanë pasur rritje që janë gati 100% në raport me vitin e kaluar, por normalisht që edhe ndryshimi i çmimit te produkti final është prezent dhe mundet me ndryshua edhe në vazhdim, pasi vetëm po rriten çmimet”, ka thënë Vula- Pozhegu.

Ajo gjithashtu ka shtuar se ka rritje edhe në produktet e tjera të drurit, si inverica dhe materialet e tjera me afro 40%.

Ilustrim

E pyetur se si e zgjidhin problemin në rast se ka mungesë të drunjve, Vula-Pozhegu ka bërë të ditur se kompanitë importojnë drunj nga shtetet e tjera si, Bosnja, Mali i Zi dhe Austria.

Lidhur me ngritjen e çmimit të drunjve, mungesën e tyre dhe dëmet që mungesa e tyre mund të shkaktoj në mjedisin e vendit, ka folur për Portalin Dukagjini, profesor Zeqir Veselaj, njëherit edhe njohës i fushës së Mjedisit.

Zeqir Veselaj, profesor dhe njohës i Mjedisit

Veselaj nuk e ka mohuar faktin se në Kosovë nuk ka toka pyjore të mjaftueshme, megjithatë sipas tij prerja e tyre në kohën e luftës dhe pasluftës ka ndodhur në masë të madhe, ndërsa rigjenerimi me vështirësi, gjë që tash po bën që Kosova të ketë mungesë të masës drunore.

Një këndvështrim krejtësisht tjetër për rritjen e çmimit të drunjve posedon Veselaj, i cili ka thënë se ngritja e çmimit lidhet me krizën energjetike të cilën po e përjeton Evropa dhe Kosova, por ka shtuar se druri mbetet lënda djegëse më e lirë në vend.

“Kjo lidhet me ngritjen e çmimeve për të gjitha resurset energjetike, që po kalon Kosova dhe Evropa. Shto këtu edhe rastin që tregtarët e drunjve nuk e lëshojnë për përfitime maksimaliste në këtë situatë. Mirëpo, prapë se prapë druri mbetet ndër lëndët për djegie më të lira dhe njerëzit tanë janë të detyruar të blejnë dru”, ka thënë Veselaj.

I pyetur se çfarë dëmesh në mjedis mund të sjellë prerja në masë të madhe e pyjeve, Veselaj ka bërë të ditur se shkatërrohet habitati i specieve shtazore, prishet cikli i shiut, zvogëlohet sipërfaqja që e absorbon dioksidin e karbonit dhe shumë të tjera.

Kësisoj në bazë të këtyre dëmeve që mungesa e drunjve mund të shkaktojë, Veselaj ka paralajmëruar se në Kosovë gjatë këtij dimri përveç krizës energjetike dhe ekonomike do të ketë edhe krizë ekologjike për shkak të rikthimit të shumë familjeve te ngrohja me dru.

“Vetëm të lutemi që dimri të jetë sa më i butë, që nënkupton më pak kërkesa për ngrohje”, ka përfunduar ai.

Gerxhaliu: Të evitohet shndërrimi i Kosovës në shtet social, të shndërrohet në shtet zhvillimor dhe të garantojë perspektivë

Lidhur me këtë çështje për Portalin Dukagjini, është prononcuar njohësi i ekonomisë, Safet Gerxhaliu, i cili mendon se qytetarët e Kosovës kanë problem që nuk i pranojnë krizat si kriza, edhe pse kjo sipas tij i prek më së shumti qytetarët dhe ekonominë e shtetit.

Safet Gerxhaliu, njohës i Ekonomisë

“Në Kosovë problemi më i madh është që nuk po pranohet kriza si krizë dhe derisa të gjitha vendet e rajonit marrin masa për të sensibilizuar efektin negativ të krizës, në Kosovë promovohen inflatorë të ndryshëm ekonomik që i paraqesin si negativ, që defenitivisht krizën sot e përjeton qytetari i Kosovës. Krizën janë duke e përjetuar sektori privat dhe në këtë drejtim vërtetë efektet e krizës do të jenë shumë të mëdha dhe është një humbje urgjente e ekonomisë së një shteti”, ka thënë Gërxhaliu.

Kriza apo ngritja e çmimit të drunjve dhe peletit, sipas Gerxhaliut ka ardhur nga çrregullimi i tregut botërorë apo debalancimi, nga pandemia dhe nga lufta Rusi-Ukrainë. Megjithatë Gerxhaliu ka shtuar se krizën po e shfrytëzojnë persona të tjerë, të cilët ai i ka quajtur spekulatorë.

“Krizën e shfrytëzojnë spekulantë të ndryshëm, që vërtetë krijojnë monopole, ngrisin çmimet dhe tërë kjo e bën një çrregullim zinxhiror edhe në ekonominë e vendit”, ka shtuar Gerxhaliu.

Pra, sipas tij shqetësuese është rritja e çmimit të energjisë elektrike, rritja enorme e çmimit të peletit dhe rritja e pakontrolluar e çmimit të drunjve.

Kritikat e tij, Gerxhaliu i ka ngritur për qeverinë e vendit, pasi nuk po punohet për uljen e pasojave negative të krizës dhe pak kush po i qan njerëzit që gjenden në varfëri ekstreme.

“Shtetet e tjera kanë përdorur strategji dhe mekanizma për të qenë më afër qytetarëve, që t’i ulin pasojat negative të krizës. Por në Kosovë promovohet rritja ekonomike, promovohet rritja e të hyrave, promovohet punësimi, promovohen ilustrimet ndërsa njerëzit e shtresës së mesme dhe qytetarët e varfët që janë nuk varfëri ekstreme pak kush po i qan”, ka shtuar ai.

Tutje, Gerxhaliu ka thënë se qeverisë së Kosovës i mungon një dialog me qytetarët. Sipas tij qeveria aktuale duhet të evitojë shndërrimin e Kosovës në shtet social dhe të punojë për të shndërruar vendin në shtet zhvillimor.

“Inflacionin nuk e bën qeveria por as nuk po e lufton qeveria. Është obligim institucional i të zgjedhurve të popullit që të bëjnë më tepër për qytetarët dhe për ekonominë, sesa të mendojnë për interesa partiake dhe grupe të caktuara të interesit, në Kosovë mungon një dialot publiko-privat, nuk ka komunikim të mirëfilltë ku do të mblidhen ide dhe do të gjindet një dalje nga situata”, ka thënë Gerxhaliu.

Njashtu, ai ka theksuar se sektori privat është ai që do të penalizohet nga kjo rritje e çmimit, edhe pse më pas çmimet e sektorit privat ndikojnë në ekonominë e vendit.

Kërkesa e Gerxhaliut është që kriza të mos analizohet vetëm në aspektin ekonomik dhe social por edhe në atë emocional, dhe këtë e ka për detyrë ta bëjë qeveria.

“Kriza duhet të analizohet edhe në aspektin emocional, dhe këtë e ka për detyrë qeveria të dalë me propozime konkrete apo skenario A, B, C dhe ato të jenë në funksion të ndihmës së qytetarëve dhe bizneseve por, për fat të keq mundojnë dhe mjerisht Kosova është shndërrua më shumë në një shtet social sesa në atë të qeverisjes ekonomike dhe perspektivës zhvillimore”, ka përfunduar Gerxhaliu.

Thirrja për aplikim nga Ministria e Ekonomisë për subvencionim të pajisjeve

Qeveria e Kosovës, konkretisht Ministria e Ekonomisë në Shtator ka marrë vendim që t’i subvencionojë qytetarët për pajisje të cilat mundësojnë ngrohje me dru dhe pelet në mënyrë që qytetarët ta kursejnë energjinë elektrike.

Ilustrim

Sidoqoftë, më pas thirrja u mbyll me arsyetimin se është plotësuar numri i aplikuesve të paraparë për fazën e parë dhe se shuma e ndarë e buxhetit është shterur.

Sipas një njoftimi të lëshuar nga Ministria e Ekonomisë, numri total i aplikuesve është 5 mijë e 992, ndërkaq shifra e arritur nga aplikimet është mbi 6 milionë euro.

“Pompë termike 1313 aplikues, invertor 2656 aplikues, kalldaja me biomasë 816 aplikues dhe stufa me biomasë 1 mijë e 207 aplikues. Numri i aplikuesve të cilët janë në kategorinë e mbështetjes së skemës të asistencës sociale është 275. Bëhet e ditur se deri më tani numri total i aplikuesve për fazën e dytë është 218. Ndërsa shifra e arritur nga aplikimet është 6,000,020.00 euro”, thuhet në njoftimin e Ministrisë.

Sipas kësaj ministrie, llogaritja është bërë duke u bazuar në kriterin që secili subvencion do të jetë me çmimin maksimal të lejuar, ndërsa thirrja do të rihapet me mjetet e mbetura, pasi të shqyrtohen aplikimet e para nga komisioni vlerësues për shqyrtimin e aplikacioneve për subvencionim.