Zëdhënësi i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Kushtrim Xhemaili, ka reaguar pas paraqitjeve televizive në prime time, duke thënë se qytetarët patën mundësinë të shohin “dy botë paralele” në dy ekrane të ndryshme televizive.

Sipas Xhemailit, në njërën anë ishte Kryeministri, ndërsa në anën tjetër ishte Daut Haradinaj, për të cilin ai tha se “mori gjithë vëmendjen” e publikut.

“Në të njëjtën kohë, në dy ekrane të ndryshme televizive në prime time, qytetarët patën mundësinë të shohin dy botë paralele. Në njërën anë një Kryeministër, në anën tjetër, Daut Haradinajn. Rezultati? Daut Haradinaj mori gjithë vëmendjen”, ka shkruar Xhemaili.

Ai ka kritikuar qeverisjen aktuale, duke thënë se qytetarët janë lodhur nga, siç u shpreh ai, “dështimet dhe demagogët që vajtojnë njësoj si kur ishin opozitë, edhe pas gjashtë vitesh pushtet absolut”.

Xhemaili ka theksuar se mesazhi për qytetarët është i qartë dhe ka bërë thirrje që të dëgjohen me vëmendje intervistat para ditës së votimit më 7 qershor.

Sipas tij, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës mbetet subjekti i vetëm politik që aktualisht po paraqitet me plan-program, projekte konkrete dhe dinjitet.

“Vota e 7 qershorit është përcaktim mes stagnimit dhe zhvillimit”, ka përfunduar ai.