Kryelajm në mediat vendore mbrëmjen e sotme është bërë ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla. Kjo pasi në një reagim për protestën, ku njësitet speciale më elitare policore u detyruan të dalin para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës të kërkojnë shtesat e rrezikshmërisë, Sveçla tha se NJSI në vitin e fundit kanë marrë mbi 2,200 euro të ardhura mujore.
Kjo deklaratë e tij shkaktoi reagime të shumta në vend.
Madje në reagimin e tij, duke përmendur shifrat e “larta” për njësitet elitare të policisë, Sveçla tha se Kosova është vend i varfër. Por, sa është pasuria e ministrit që jeton në një vend të “varfër”.
Në deklarimin e pasurisë për vitin 2023 në Agjencinë Kundër Korrupsionit, ministri Sveçla ka deklaruar një pasuri të majme, shkruan Ballkani.info.
Veç një shtëpi në vlerë të përbashkët, si pasuri të paluajtshme, Sveçla ka deklaruar se e kap vlerën e 600 mijë eurove.
Po ashtu, në AKK a ka deklaruar se posedon në pronësi të përbashkët edhe një lokal me vlerë prej 650 mijë eurove.
Ministri që jeton në një vend të “varfër”, me prona të paluajtshme e ka kapur milionëshin, pasi këto të dyja bashkë, bëjnë një milionë e 250 mijë euro.
Sveçla ka deklaruar një veturë në pronësi të bashkëshortes, e cila kushton rreth tre mijë eurove.
Sipas deklarimit të bërë në AKK, 100 për qind e aksioneve i takojnë bashkëshortes së ministrit në O.S.S. “Dhomi” B.I., në vlerë kapitale 6 mijë euro. Data e përfitimit e treguar është 1 korrik 2014.
Po ashtu bashkëshortja e Sveçlës, në deklarim thuhet se i takojnë 50 për qind e aksioneve në “Dental Advanced Services Dhomi L.L.C”. Vlera kapitale e deklaruar është thënë se është 100 mijë euro, kurse data e përfitimit 22 shtator 2021.
Po ashtu, në AKK, ministri ka deklaruar edhe para të gatshme. Në një bankë ai i mban mbi 1 mijë e 200 euro, ndërsa mbi 2 mijë euro të tjera nëpër banka, janë të bashkëshortes dhe fëmijëve.
Të hyra vjetore, ai ka deklaruar se si ministër i ka rreth 14 mijë e 500 euro, ndërsa nga meditjet, ka marrë mbi 3 mijë e 500 euro.
Bashkëshortja e tij e cila duket se punon në një universitet, ka pagë vjetore 14 mijë euro, ndërsa në një biznes, 5 mijë e 500 euro.
Pagë të fëmijës, ai ka deklaruar 4 mijë e 420 euro. /Ballkani.info/







