Ka kaluar pothuajse një ditë që nga vdekja e 26 vjeçarit nga Gjilani i cili bëri vetvrasje duke rënë nga kati i pestë i konviktit ku po qëndronte i izoluar pasi kishte ardhur nga Gjermania më 2 maj, mirëpo ushtruesi i detyrës së Ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ende nuk ka reaguar për rastin tragjik të ndodhur dje në Qendrën e Studentëve.
Sveçla i cili reagoi menjëherë lidhur me një rast që ka të bëjë pikërisht me karantinim në këtë vend, të deputetit nga radhët e AKR’së, Behgjet Pacolli për të cilin dyshonte se ka ardhur nga Tirana në Prishtinë me presidentin e vendit Hashim Thaçi, nuk e tha asnjë fjalë të vetme për fatkeqësinë e të riut që erdhi nga Gjermania.
Madje, me reagimin e tij të ashpër ndaj Pacollit për lëvizjen e këtij të fundit nga Zvicra për në vendin tonë, Sveçla kërcënoi atë me arrestim nëse nuk iu përmbahet rregullave të vendosura të cilat vlejnë njësoj për të gjithë qytetarët e Kosovës.
“Çdokush që mund të gjendet në shkelje të ligjit do të ballafaqohet me pasojat e kësaj shkelje. Nëse z. Pacolli do të futej ilegalisht do të arrestohej, kjo është e zezë mbi të bardhën. Në fakt, do të ndalohej e më pas prokuroria do të vendoste nëse do të shqiptonte masën e arrestit”, kishte thënë Sveçla në Interaktiv.
“Ai do të qëndrojë në vetizolim, në momentin që ai potencialisht thyen izolimin, normalisht ka masa edhe për këtë veprim. Me dijen time, nëse thyhet izolimi ka masa tjera, nuk shkohet direkt në arrestim, ka gjobë mandatore, kthehet në vetizolim apo dërgohet në karantim”, ka përfunduar ai.
Ndërsa rasti i Agon Musliut i cili sipas listës zyrtare të personave të karantinuar, figuron si pacientë me probleme shëndetësore por që askush nuk është marrë me gjendjen e tij derisa qëndroi i mbyllur në konvikt, nuk çoi peshë aq sa për të reaguar publikisht ushtruesi i detyrës së ministrit të Brendshëm.
E për vdekjen e 26 vjeçarit gjilanas, përveç liderëve politikë, ka reaguar edhe babai i të ndjerit, Naim Musliu, i cili tha se djali i tij ka pasur probleme shëndetësore, e se fajtor për atë se çka ka ndodhur janë kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ministri në detyrë i Shëndetësisë, Arben Vitia dhe u.d i ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Svecla.
“Djali është nis për Gjermani për magjistraturë me 6 mars me ndihmën e vëllait tem dhe të një Gjermani, pa ndihmën e tyre djali im s’kish mujt me shku, po me ndihmën e tyre i tubuam paratë dhe ai është nisur. Pas sëmundjes së koronavirusi djalit ndërpreu kursin, pasi që i thanë ata edhe u barikadua në banesën e njerëzve vullnet mirë, pa pare, dy muaj ditë. Aty filloi një mërzitje bejgi e mirë se të afërm në atë qytet s’ka pas, por menjëherë pas kësaj e kam njoftuar kryetarin e Komunës se djali më tha se po mërzitna e po du me u kthy. Lutfi Haziri ka bërë çka është e mundur dhe ambasadori Beqë Cufaj, pa ndihmën e tyre nuk ka mundur djali të kthehet”, ka thënë Musliu.







