Xhavit Haliti për situatën e fundit: Vuçiq përfitoi, humbi Kosova dhe Kurti

“Show politik” për targat dhe “menaxhim i keq”, kështu e ka cilësuar deputeti i PDK-së, Xhavit Haliti një seri veprimesh të kryeministrit Albin Kurti lidhur me targat dhe dialogun me Serbinë.

Xhavit Haliti, deputet i Kuvendit të Kosovës nga radhët e subjektit opozitar, Partisë Demokratike të Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë se Qeveria e Kosovës duhet t’i respektojë propozimet, por edhe kërkesat e partnerëve perëndimorë lidhur me çështjen e targave.

Ai ka deklaruar se nga gjithë situata e krijuar ka përfituar vetëm presidenti serb.

“Çështja me targat, për mua është një ‘show’ [shfaqje] i panevojshëm. Është një ‘show’, ku realisht ka përfituar Vuçiq. Ai po e fut politikën kosovare në përplasje të panevojshme, për t’i thënë pastaj BE-së: ‘ja kush janë këta dhe nuk merret vesh askush me ta’. Në planin ndërkombëtar, Kosova ka humbur më shumë dhe pastaj edhe kryeministri [Kurti]”.

“Para se të vendosim që t’iu themi ‘jo’ të gjithë aleatëve tanë, ne duhet të shohim se a kemi fuqi të përballemi me të gjitha. Ku do të shkojmë ne vetëm?”, pyet Haliti.