Xhavit Haliti paditë gazetën “Bota Sot”

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Xhavit Haliti ka njoftuar se tanimë ka ushtruar padi ndaj gazetës “Bota Sot”.

Haliti përmes një shkrimi në Facebook ka thënë se kjo gazetë që nga paslufta ka shpifur ndaj tij, me qëllim dëmtimin e personalitetit të tij.

Ai ka kërkuar që ligji të merret me ata që siç thotë ai merren qëllimisht me shpifje e trillime.

Reagimi i plotë:

Para disa ditësh nëpërmjet avokatit Faton Fetahu, kam ushtruar padi për shpifje ndaj gazetës “Bota sot”.

Kjo gazetë që nga paslufta ka shpifur ndaj meje, me synim që të dëmtojë personalitetin tim.

Shkrime të tilla, jo vetëm se kanë për qëllim të dëmtojnë subjekte të caktuara, por aq më keq, synojnë që të helmojnë opinionin publik pa asnjë fakt apo provë të vetme.

Unë mbështes lirinë e mediave, si dhe punën fisnike të gazetarëve, por po ashtu jam idhtar që ligji ta thotë fjalën ndaj gjithë atyre që merrëm qëllimshëm me shpifje dhe trillime.