Kandidati për deputet nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK) me numrin 14, Xhavit Haliti, ka zhvilluar takime me qytetarë në Drenas, në kuadër të aktiviteteve të tij elektorale.
Përmes një postimi publik, Haliti ka bërë të ditur se në këto takime ishte i shoqëruar nga ish-komandanti i përgjithshëm i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Azem Syla – Daja, të cilin e ka quajtur mik të tij.
Sipas Halitit, gjatë vizitës në Drenas ai ka takuar qytetarë të cilët i cilësoi si “burra të fortë e të mirë”, ndërsa ka theksuar se atmosfera ishte e mbushur me energji pozitive dhe angazhim për fitoren e PDK-së.
“Energji, pozitivitet dhe angazhim për fitoren e PDK-së. Bashkë me mikun tim, Dajën, ish-komandantin e përgjithshëm të UÇK-së, takuam disa nga burrat e fortë e të mirë të Drenasit”, ka shkruar Haliti.
Kandidati i PDK-së me numrin 14 ka vazhduar aktivitetet dhe takimet me qytetarë në kuadër të fushatës zgjedhore, duke kërkuar mbështetje për subjektin që përfaqëson në zgjedhjet e ardhshme.







