Deputeti nga radhët e PDK-së Xhavit Haliti, ka shprehur shqetësimin për mundësinë e ndërtimit të hidrocentraleve në rrjedhën e Lumbardhit, në Pejë.

Sipas tij kjo gjë, bie në kundërshtim më Planin e Zhvillimit Komunal, të miratuar nga Kuvendi Komunal i Pejës.

Ai përmes një postimi në facebook ka thënë se çdo përpjekje për të ndërtuar hidrocentrale në këtë pjesë do të kundërshtohet fuqishëm nëpërmjet rrugëve institucionale.

Ja postimi i plotë:

Shpreh shqetësimin tim të thellë dhe njëkohësisht edhe të të gjithë qytetarëve të Komunës së Pejës për mundësinë e ndërtimit të hidrocentraleve në rrjedhën e Lumbardhit, gjë që bie në kundërshtim edhe me Planin e Zhvillimit Komunal, të miratuar nga Kuvendi Komunal i Pejës.
Çdo përpjekje për të ndërtuar hidrocentrale në këtë pjesë, përmes të cilëve do të dëmtohet ambienti, do të kundërshtohet fuqishëm nëpërmjet rrugëve institucionale.
Lumbardhi i Pejës është pasuri natyrore shumë e rëndësishme për zhvillimin e turizmit dhe fokusimi ynë, qoftë nga niveli qendror, qoftë nga ai lokal, duhet të jetë në krijimin e strategjive për ta zhvilluar këtë pjesë dhe asnjëherë për ta dëmtuar përmes ndërtimit të hidrocentraleve nga kushdo qoftë. XHH