Xhavit Haliti: Arben Gashi ma ka sharë nënën pesë herë në Kuvend VIDEO

Ish nënkryetari i Kuvendit dhe anëtari i PDK-së, Xhavit Haliti ka folur sonte për përplasjen me deputetin e LDK-së, Arben Gashin, ku thotë se ai e kishte sharë.

“Arben Gashi më ka sharë nënën pesë herë, ju nuk e keni dëgjuar. Por, unë nuk e kam sulmuar por kam rrëshqitur. Unë jam përpjekë që kur e kam drejtuar parlamentin jam munduar me qenë i barabartë. Ka shumë nevojë me e rregulluar rregulloren e Kuvendit. Ai ka qenë një defekt emocional i Arbenit, por nëna ime nuk i ka pasur asnjë borxh”, ka thënë Haliti.

Haliti ka thënë se si PDK janë duke punuar fort, edhe me të rinjtë edhe me të vjetrin, duke theksuar se janë një parti e re.

Në “Desku” ai e ka sqaruar deklaratën e tij kur kishte thënë se “të gjithë i kanë nga 2-3 milionë euro”.

“Nuk kam thënë se në konto i kemi 2-3 milionë euro. Unë kam një pasuri ta quaj, nëse është pasuri, tokën që më ka lënë baba dhe shtëpinë dhe me motëra dhe vëllezër i kemi nja 20 rroga në Zvicër. Por, pasurinë e vlerësoj sa dua unë, ndoshta e vlerësoj 3 milionë por ndokush ndoshta s’e blenë as për 200 mijë. Mendoj se ne kemi të gjithë prona. S’po them se i kemi të gjithë nga 2-3 milionë, por uroj që të mos ketë të papunë dhe të ketë kushte më të mira”, ka thënë Haliti.