Xhaka: Po merr fund ky rrugëtim i mrekullueshëm, krenar me ekipin, jemi vëllezër

Futbollisti kosovar i ka ngritur në qiell bashkëlojtarët, të cilët bënë paraqitje të shkëlqyeshme në “Euro 2020”. Përkundër eliminimin, kapiteni i Zvicrës ndihet krenar me ekipin. Xhaka zotohet se “Helvetikët” do të kthehen më të fortë

Granit Xhaka ndihet i lënduar me eliminimin e Zvicrës nga Kampionati Evropian i futbollit. “Helvetikët” i dhanë fund sonte eksperiencës në “Euro 2020” pasi u mposhtën nga Spanja në çerekfinale pas penalltive. Zviceranët e patën një eksperiencë fantastike në Evropian pasi në të tetën e finales e mposhtën kampionen e botës, Franca.

Fatkeqësisht, në atë ndeshje Xhaka u ndëshkua dhe nuk pati të drejt loje ndaj “Stuhisë së Kuqe”. Kapiteni i zviceranëve u pa në fushë duke i motivuar shokët e skuadrës, të cilët u mbajtën mjaft mirë për 120 minuta, por ishin të pasaktë dhe të pafat në 11 metërsha. Sidoqoftë, futbollisti i Arsenalit ndihet krenar me atë që e ka bërë ekipi i Vladimir Petkoviçit në këtë Evropian.

“Ky rrugëtim i mrekullueshëm shkon në fund dhe më besoni, kjo dhemb shumë. Mirëpo, nuk do të mund të isha më krenar për këtë grup. Ne jemi skuadër vëllezërish. Të gjithë ne. Ne fitojmë së bashku. Ne humbim së bashku. Është nder dhe krenari të luash me këta djelmosha. Ne do të kthehemi më të fortë nga kjo. HoppSchwizz”, ka shkruar Xhaka në rrjetet sociale.

Ai ishte lojtari i ndeshjes me Francën, ndërsa Shaqiri e mbylli Evropianin me tre gola e Admir Mehmedi realizoi gol nga penalltia kundër Francës. Pra, edhe shqiptarët kishin hise në paraqitjet e Zvicrës në “Euro 2020”.