Granit Xhaka u përfshi në një konfrontim të shëmtuar me tifozët e Arsenalit derisa u largua me makinë nga Emirates pas eliminimit të Arsenalit nga FA Cup të premten.
Mesfushori kosovar i Zvicrës sapo kishte dalë nga stadiumi pas humbjes së Arsenalit 3-1 ndaj Manchester Unitedit në rundin e katërt të FA Cup, kur tifozët iu shfaqen përpara për ta konfrontuar.
Nata e 26-vjeçarit u përkeqësua edhe më shumë pasi tentoi të largohej por s’u lejua nga tifozët e skuadrës së tij. Disa tifozë të “Topçinjve” iu afruan kosovarit të përfaqësueses së Zvicrës duke e kritikuar për paraqitjen e ti, për çudi sepse Xhaka ishte larg të qenit lojtari më i dobët në fushë në një natë të mjerueshme për klubin nga Londra veriore.
Derisa tifozët iu vërsulën me zemërim, Xhaka iu tha ta mbyllnin gojën dhe më pas e mbylli dritaren e makinës.
Por, pati tifozë të pranishëm që e përkrahin Xhakën, derisa njëri prej tyre brohoriti “të duam ty”.
Xhaka ka dështuar t’i përmbushë pritjet si njëri prej mesfushorëve më të mirë defensivë në Evropë, që prej se iu bashkua Arsenalit nga Borussia Monchengladbach për 30 milionë funte më 2016.
Këtë sezon, Unai Emery e ka shëtitur Xhakën nëpër formacionin startues të Arsenalit, duke e aktivizuar si qendërmbrojtës pas lëndimeve të Laurent Koscielny, Sokratis, Konstantinos Mavropanos dhe Rob Holding.







