Xhaçka: Shqipëria një nga vendet e para që dërgoi municione në Ukrainë

Shqipëria është një nga vendet e para që ka dërguar armë dhe municione në Ukrainë.

Kështu tha ministrja e Jashtme, Olta Xhaçka, në fjalën e saj në samitin virtual “Platforma e Krimesë”, ku mori pjesë me ftesë të Presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelensky.

“Për ne në Shqipëri, për ne në Ballkanin Perëndimor, këto krime dhe këto imazhe na prekin thellësisht. Përpara agresionit të jashtëligjshëm të Rusisë kundër Ukrainës, Ballkani Perëndimor ishte skena e luftës së fundit në Evropë. Kjo është arsyeja pse Shqipëria ka mbështetur në maksimum Ukrainën dhe rezistencën e saj heroike ndaj agresionit, duke qenë një nga vendet e para që dërgoi armatime në Ukrainë, duke kontribuar në Konferencën e Donatorëve, duke miratuar kornizën ligjore të duhur që na lejon të mirëpresim në vendin tonë ukrainasit që ikin nga lufta dhe duke qëndruar në një linjë me të gjitha sanksionet e BE-së kundër Rusisë dhe duke bërë maksimumin në Këshillin e Sigurimit, si bashkëpenëmbajtës me aleatët tanë të SHBA-ve, për të mbështetur diplomatikisht Ukrainën dhe për të izoluar Rusinë”, tha Xhaçka.

“Por ka edhe një arsye tjetër, ndoshta edhe më të rëndësishme, pse Shqipëria mbështet Ukrainën dhe pse ne besojmë se çdo vend që beson në të drejtën ndërkombëtare, në Kartën e OKB-së, në rendin e bazuar në rregulla, duhet të mbështesë Ukrainën deri në çlirimin e të gjitha territoreve të pushtuara, rivendosjen e sovranitetit të saj mbi të gjitha territoret e pushtuara përkohësisht dhe tërheqjen e plotë të forcave ruse nga çdo pjesë e territorit të njohur ndërkombëtarisht të Ukrainës. Sepse duke mos e bërë këtë tani, do të rrezikohet i gjithë rendi i bazuar në rregullat ndërkombëtare, e gjithë arkitektura e sigurisë në të cilën ne të gjithë mbështetemi për paqen dhe stabilitetin në botë dhe do të inkurajonte çdo vend dhe lider autoritar në botë, që të ndërmarrë të njëjtat veprime si këto”.

Deklarata vjen pak ditë pasi dy shtetas rusë dhe një ukrainas tentuan të futen në një uzinë ushtarake në Gramsh. Më vonë, gjatë marrjes në pyetje, njëri prej tyre, i cili u përlesh edhe me dy efektivë të ushtrisë shqiptare, pranoi se kishte marrë udhëzime nga shërbimet ruse për të fotografuar baza ushtarake në Evropën Lindore.

Rusia ka akuzuar disa herë Shqipërinë se ka dërguar edhe mercenarë për të luftuar në Ukrainë, ndërsa thotë se armët që Perëndimi ka dërguar në Ukrainë kanë përfunduar në tregun e zi, në duart e grupeve kriminale në Shqipëri, Kosovë dhe Bosnje-Hercegovinë./A2 CNN