Ferizaj me mbi 90 të prekur me COVID-19, Aliu kërkon heqjen nga karantina

Ferizaji është komuna më e prekur me koronavirus në Kosovë.

Kryetari i komunës së Ferizajt, Agim Aliu, ka kërkuar nga ministri në detyrë i Shëndetësisë dhe Instituti i Shëndetit Publik, që ky qytet të hiqet nga karantina për shkak të menaxhimit më të mirë të situatës.

Aliu ka thënë se ka kërkuar që Ferizaj të hiqet nga karantina për arsye se janë në praktikë masat e MSH-së dhe logjikshëm një qytetar ka kohë një orë e gjysmë dhe askush nuk mund të udhëtojë për Prishtinë.

“Jemi duke u ballafaquar me mungesë të policisë për shkak se me vet faktin që kanë një numër kaq të madh të rasteve, nevojitet më shumë kontrolle nga policia. Ne policisë i kemi dhënë në dispozicion edhe veturat e administratës dhe nëse hiqet karantina, policët që aktualisht qëndrojnë në hyrje daljet do të kishin mundësi të kontribuojnë në vendet ku nevojitet”, ka thënë ai për Radio Televizionin Dukagjini.