Wuhan/ Shërohet nga koronavirusi 98-vjeçarja, bilanci në botë thellohet

Ndërsa bilanci i vdekjeve nga koronavirusi nëpër botë kapërceu 3.000, nga epiqendra e tij, Wuhani, mbërrin lajmin se një paciente 98 vjecare është shëruar e u dërgua në shtëpi.

Gruaja, pacientja më e moshuar që u prek nga Covid 19, ishte shtruar së bashku me të bijën. Numri më i madh i vdekjeve , gati 90% e tyre është shënuar në Wuhan, por ka pasur viktima nga ky virus edhe në vende të tjera, përfshirë 50 në Iran e 40 në Itali.

Armenia konfirmoi rastin e parë me koronavirus. Një burrë, 29 vjeç, i cili së bashku me bashkëshorten e tij ishte kthyer nga Irani, është infektuar me virusin e ri. Kryeministri armen, Nikol Pashinian, tha se burri i infektuar – shtetas armen – kishte udhëtuar me avion nga Teherani për në Armeni më 28 shkurt. Më pas ai kishte shkuar në spital për trajtim mjekësor.

Sipas kryeministrit armen, pacienti është në gjendje të mirë shëndetësore. Kryeministri tha se të gjithë personat që kanë pasur kontakt me të infektuarin do të vendosen në karantinë, ndërsa shtoi se të gjithë pasagjerët në avionin që kanë udhëtuar nga Teherani me pacientin e infektuar, kanë pasur maska në fytyrë.