Windows 11

Windows 11 mund të “shohë” përmes kamerës së telefonit tuaj

Falë funksionit të ri, përdoruesit e Windows 11 do të mund të përdorin telefonat e tyre Android apo tabletët si ueb kamerë.

Kushti i vetëm është që pajisjet e tyre të kenë versionin Android 9 apo më të ri, dhe ta instalojnë versionin më të ri të aplikacionit Link to Windows.

“Me këtë funksion, do të mund të lidheni dhe të kënaqeni me cilësinë e lartë të kamerës nga pajisja e juaj mobile në kompjuter. Disa nga mundësitë përfshijnë bartjen nga kamera e përparme në atë të pasme, pauzimin e transmetimeve direkte dhe përdorimin e efekteve të veçanta që ofron telefoni i juaj”, kanë bërë të ditur nga Microsoft.

Për ta përdorur këtë funksion, nga Microsoft kanë bërë të ditur se duhet të futeni në Setting, më pas Bluetooth & devices dhe Mobile devices dhe në fund të klikoni në Manage devices duke i mundësuar PC-së tuaj lidhjen me pajisjen e juaj Android, transmeton Telegrafi.

Microsoft gjithashtu i bën thirrje të gjithë testuesve të provojnë këtë funksion dhe të raportojnë gabimet e mundshme në kuadër të Feedback Hub.

Ky funksion pritet të jetë i qasshëm për të gjithë përdoruesit deri në azhurnimin e radhës të Windows 11.