William Walker: Interesi i SHBA-ve për Kosovën po zbehet

William Walker, diplomati amerikan dhe miku i dashur i Kosovës, pohoi se ka vend për shqetësime lidhur me marrëdhëniet Kosovë-SHBA.

Megjithatë, ai nuk po e sheh taksën prej 100% për mallrat nga Serbia dhe Bosnja dhe Hercegovina si problemin e vetëm.

“Në qoftë se mendoni se Kosova në veçanti apo Evropa Qendrore është në një periudhë politke të keqe gaboheni. Politika në SHBA është edhe më e ndërlikuar dhe më e vështirë për t’u kuptuar”.

“Brengosem, jo vetëm për shkak të këtij hapi që ka ndërmarrë Haradinaj, të cilit nëse i qëndrohet besnik atëherë mund te këtë ndikim negativ ne marrëdhëniet e Kosovës me Amerikën, por se problemi është më i thellë”.

“Në SHBA ka shumë më pak interesim për Kosovën. Ishte mjaft e rëndë para një viti që vëmendja e SHBA-ve për këtë rajon ishte duke u zbehur, por tani me një politikë të jashtme shumë të paqëndrueshme të administratës Trump, ka shumë arsye për t’u shqetësuar se si po shkojnë këto marrëdhënie”.

Walker në një intervistë në Info Magazine, theksoi se një marrëveshje në mes të Kosovës dhe Serbisë nuk duhet të arrihet këtë vit me çdo kusht.

“Që të keni marrëveshje të negociuar dhe të nënshkruar në mes të Kosovës dhe Serbisë më duket se ka pasur plot lojtarë që po mendojnë se ne duam marrëveshje me çdo kusht, se dikush do marrë Çmimin Nobel për Paqe për këtë. Nuk dua që Kosova të humbasë diçka ashtu siç nuk dua të tjerët që nuk jetojnë këtu të fitojnë diçka nga marrëveshja për paqe”.

“Është shumë me rëndësi për popullin e Kosovës që çfarëdo marrëveshje të përfshijë njohjen dhe të krijojë një baraspeshë në mes të dy palëve”.

“Siç e thashë, ka disa njerëz që duan ta shohin të përfunduar, nuk e kuptojnë se çfarë do të thotë te këtë një marrëveshje ku Kosova nuk njihet si shtet sovran. Do të nevojitet ende kohë dhe përpjeke, që të arrihet një marrëveshje që i kënaqë Serbinë dhe Kosovën. Hisedarët tjerë as nuk humbin as nuk fitojnë sa popujt e këtij rajonin qoftë për një marrëveshje të mirë apo të keqe”.