Ish trajneri i Arsenalit, Arsene Wenger, tha se duke i dhënë Mesut Ozilit një kontratë të re, mund të ketë ndikuar për ta vendosur lojtarin gjerman në një zonë rehatie, ndaj nuk po jep më të mirën e tij.

Ozil nënshkroi një kontratë të re pak më shumë se një vit më parë, me vetëm gjashtë muaj të mbetura në marrëveshjen e tij të mëparshme me “Topçinjtë”.

I ballafaquar me mundësinë e humbjes së Ozil për asgjë (falas), Arsenali zgjodhi t’i japë atij një kontratë 3-vjeçare deri në fund të sezonit 2021. Kjo ndodhi me Wenger në krye, me besimin se gjermani do të vijonte të ishte një nga yjet e ekipit. Sidoqoftë, statusi i Ozil në ekip ka ndryshuar nën drejtimin e trajnerit të ri, Unai Emery.

30-vjeçari e ka gjetur veten jashtë formacionit titullar, duke ngritur spekulime mbi të ardhmen e tij. Arsene Wenger pranoi se kontrata e re, që Ozil nënshkroi, ishte bërë me shpresën se, si me të gjitha lëvizjet, klubi do të merrte më të mirën nga lojtari gjatë marreveshjes së re. Megjithatë, ish trajneri i “Topçinjve” tha se nuk ndodh gjithmonë, që një lojtar i rehatuar me një kontratë të re mjaft fitimprurëse, të japë më të mirën.

“Unë mendoj se kohëzgjatja e kontratës nuk ka të bëjë me përzgjedhjen e ekipit, – tha Wenger për “The Guardian”. – Sidoqoftë, ndonjëherë ka raste të veçanta. Shumicën e kohës tani mendojmë se, kur nënshkruajmë me një lojtar për pesë vite, e kemi atë në më të mirën në po kaq vite. Në fakt, kjo nuk ndodh gjithmonë, sepse ndonjëri mund të përfshihet zonën e rehatisë”.

Megjithatë, Wenger vuri në dukje situatën e vështirë, në të cilën klubi ishte me gjermanin, para se të rinovonte: “Ai kishte një kontratë, që po shkonte drejt skadimit. Problemi është që, nëse dëshironi të blini një lojtar si ai, ju duhet të shpenzoni 100 milionë stërlina. Dhe për të ruajtur vlerën e lojtarit, përtej rastit Ozil, varesh shumë nga mënyra se si është e strukturuar futbolli.

Për të blerë lojtarë të nivelit të lartë të duhen së paku 100 milionë stërlina. Pra, vendimi që duhet të merrni shtrihet në dy plane: të rinënshkruani me lojtarin, i cili nuk të kushton asgjë; apo të shpenzosh shumë para për të blerë një lojtar të ri”.