Gazeta gjermane

“Welt”: Frika nga një konflikt i ri ballkanik po rritet në Evropë, kryesisht për shkak të sulmit serb në veri të Kosovës

Në një artikull të gazetës gjermane “Welt” mbi zhvillimet e fundit në Ballkanin Perëndimor, thuhet se frika nga ripërtëritja e konflikteve në këtë rajon të rrethuar nga armiqësitë entike është duke u rritur në kancelaritë perëndimore, posaçërisht pas sulmit të paramilitarëve serbë në pjesën veriore të Kosovës dhe kërcënimeve secesioniste në Bosnje-Hercegovinë.

“Welt” shkruan se peizazhi politik në Ballkanin Perëndimor është një përzierje e politikës autokratike, ndikimit rus, krimit të organizuar dhe mosmarrëveshjeve territoriale, që rrezikojnë të destabilizojnë rajonin, ndërsa vëmendje të veçantë i kushtohet thirrjes së Gjermanisë që procesi i anëtarësimit të vendeve ballkanike të përshpejtohet para se të jetë vonë.

Në artikullin e gazetës gjermane përmendet sulmi terrorist i paramilitarëve serbë në Banjë të Zveçanit – komunë e banuar me shumicë serbe – në pjesën veriore të Kosovës dhe thirrjet e përsëritura të zyrtarëve serbë për krijimin e të ashtuquajturës “botë serbe” që është trashëgimi e ish-udhëheqësit fashist të Serbisë, Sllobodan Millosheviq, i cili kreu gjenocid në rajon.

“Frika për një konflikt të ri ballkanik po rritet jo vetëm në Berlin, por edhe në kryeqytete të tjera evropiane – qoftë për shkak të sulmit serb në veri të Kosovës, ose për shkak se pjesa serbe e vendit dëshiron të shkëputet nga shteti multietnik i Bosnjë-Hercegovinës”, thuhet në artikullin e gazetës së njohur gjermane, duke veçuar rrezikun që paraqet Rusia për rajonin.

Në artikullin e gazetës gjermane trajtohet edhe perspektiva e anëtarësimit të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian (BE). Megjithatë, sfidat politike dhe ekonomike me të cilat përballen gjashtë vendet e rajonit, përfshirë ndikimin rus në Serbi, ngadalësuan ndjeshëm procesin e anëtarësimit të Ballkanit Perëndimor në gjirin e bllokut evropian.

“Njerëzit në Ballkanin Perëndimor kanë pritur që të bëhen qytetarë të BE-së qe 20 vjet. Shumë janë të zhgënjyer – dhe të ndjeshëm ndaj propagandës. Media shtetërore ruse transmeton pa pengesa. Në Serbi, sondazhet tregojnë se vetëm rreth një e treta e popullsisë është në favor të anëtarësimit në BE”, thuhet ndër të tjera në artikullin e gazetës së njohur gjermane.

“Welt” kujton se për shumë vëzhgues në kontinentin evropian, perspektiva e rrëshqitjes drejt skajeve të krizës nuk mund të izolohet; derisa u krijohet mundësia lojtarëve lokalë serbë të lidhur me interesat ruse të zgjerojnë hijen kërcënuese dhe të provokojnë konflikte, tani rreziku i ripërshkallëzimit rri i varur mbi mbarë Ballkanin Perëndimor të ngjeshur nga tensionet.

VIDEO BONUS: Osmani, Kurti e Konjufca bashkë me Rifat Jasharin në parakalimin e Ushtrisë së Kosovës